Zbardhen të tjera detaje nga megaoperacioni i zhvilluar në Belgjikë. 64 persona janë arrestuar pasi akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte kokainë në sasi të mëdha. Të ndaluarit janë kryesisht shqiptare, por ka mes tyre edhe kolumbiane.
Ky ishte ndër operacionet më të mëdha në vend, i quajtur “Sky” për shkak se erdhi i gjithi pas dekriptimit të mesazheve nga një aplikacion telefonik me këtë emër.
Më shumë se 1100 forca policore u angazhuan për të goditur mafian shqiptare. Policë të veshur me antiplumb dhe shpesh me makina anonime mësynë mbi 100 banesa në Bruksel. Përveç arrestimeve, mësohet janë sekuestruar dhjetëra armë zjarri dhe 57 makina luksoze. Prokuroria bëri me dije se është sekuestruar një sasi e madhe me monedha ari, një makineri për numërimin e parave, rreth 1 milion euro në cash dhe duhan kontrabandë.
Organizata kriminale ishte kaq e fuqishme sa janë kapur edhe pajisje të specializuara. Prokurori federal, Federic Van Leeuë u shpreh i shokuar pas këtij operacioni. “Ne gjithmonë kemi menduar se Narcos-it ishin në Amerikën Latine, por ata qenkan gjithashtu këtu”, tha ai.
Grupi mendohet se ka trafikuar tonelata me kokainë nga Afrika e Jugut për në Bruksel duke përdorur avionë privatë dhe kontenierë anijesh.
Narcos-it shqiptarë lëviznin me makina luksoze, me çanta Louis Vuitton dhe Dior, ndërsa mbanin ora Rolex dhe Bulgari.
Mafia shqiptare ishte e lidhur qartësisht me Kolumbinë, jo vetëm për kokainën, por edhe për dhunën e tmerrshme. Hetimi ka zbuluar të dhëna tronditëse për prerje kokash, gjymtime dhe copëtime trupash.