Sport Agnelli: Falënderoj Ronaldon, por askush nuk është më i madh se Juventus

Agnelli: Falënderoj Ronaldon, por askush nuk është më i madh se Juventus

Ditë e rëndësishme te Juventusi, ku po mbahet mbledhja e aksionarëve për miratimin e pasqyrave financiare vjetore. Presidenti Andrea Agnelli hapi mbledhjen që po mbahet në stadiumin “Allianz”. Ndër të tjera, ai iu rikthye edhe lindjes së projektit të Superlegës, në të cilin klubi bardhezi mbetet i përfshirë së bashku me Barcelonën dhe Real Madridin:

“Lindja e Superligës ishte nevojë e 12 klubeve, të cilat kishin konstatuar se skelat e vjetruara, mbi të cilat bazohet futbolli, refuzojnë çdo ndryshim. Nuk do të heq dorë dhe nuk do të dorëzohem. Sistemi ka nevojë për një ndryshim dhe Juventusi do të jetë pjesë e tij, por e ritheksoj se vetëm përmes dialogut konstruktiv do të jetë e mundur të arrihet ndryshimi i kënaqshëm për të gjithë. Unë sfidoj këdo që të konfirmojë se sistemi aktual i futbollit profesional është i kënaqshëm. Është për t’u habitur që çdo përpjekje për reformë është lënë mënjanë”.

Nga mbledhja e Këshillit të Administrimit, presidenti i Juventusit Andrea Agnelli ka folur edhe për Cristiano Ronaldon, duke thënë se askush nuk është mbi klubin bardhezi.

“Kemi pasur fatin dhe kënaqësinë të kemi në skuadrën tonë për tre sezone një si Cristiano Ronaldo, që është futbollisti më i mirë në botë. E falënderoj për kënaqësinë që na ka dhënë, por më vjen keq që në një vit e gjysmë nuk patëm publikun në shkallët e stadiumit. Megjithatë është fanella e Juventusit që kërkon përgjegjësi, jo shokët e skuadrës apo puna. Ky klub është më i madh se të gjithë futbollistët që kanë pasur fatin të luajnë për të që nga 1987-a”, deklaroi Agnelli.