Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ristrukturim të ndërmarrjeve të ujësjellësit në vend, duke nisur me kontrollin dhe vlerësimin e drejtuesve dhe punonjësve të këtyre ndërmarrjeve.
“Nuk mund t’u themi njerëzve që përgjegjësinë për ujin e ka qeveria. Pjesa dërrmuese e bashkive janë në shkelje të ligjit, por kur vjen puna për përgjegjësinë ia kaloni qeverisë. Kështu që ne do ta marrim këtë përgjegjësi dhe bashkërisht do ta ndryshojmë kursin e kësaj historie”, tha Rama.
Ai tha se do të rishikohet dhe kalohet në sitë profili dhe kapacitetet teknike të drejtorëve, shefave dhe punonjësve të ujësjellësve në të gjithë vendin. “Sugjerimi im do të ishte t’i merrni masat vetë para sesa këto pasqyra të tregojnë gjëra që do të mbeten në historinë e satirës dhe humorit shqiptar. Një ndërmarrje që nuk mbulon as pagat dhe sigurimet dhe mban me borxhe lista të tëra punonjësish, është pasqyra më dëshpëruese e papërgjegjshmërisë. As Korça dhe Pogradeci që janë larg të tjerëve, nuk i paguajnë dot kreditë”, tha Rama.
Rama kritikoi kryebashkiakët e vendit edhe në lidhje me humbjet dhe përmirësimin e munguar në rrjetin e ujësjellësit në vend.
“Shuma e vënë në dispozicion të transformimit rrënjësor të sektorit të uji është 1,2 miliardë euro. Ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet, dhe pastaj janë qytetarët që me të drejtë ankohen. Sepse rritja e investimeve nuk mund të përkthehet me rritje të humbjeve”, u tha Rama.
Duke veçuar Bashkinë e Vlorës, që sipas kryeministrit ka mbi 78% humbje në ujësjellës, Rama tha: “Është një piramidë e falimentuar që vijon merr para nga shteti”.
Ai tha se do të duhet të merren masa për këtë situatë. “Njerëz që nuk janë fare në Shqipëri rezultojnë drejtues të ndërmarrjeve të ujësjellësit. Kjo përkthehet në mosprerje të shërbimit për debitorë dhe në rezultate të paimagjinueshme arkëtimi, siç është kampione Bashkia Kavajë, me 31% arkëtim”.