Sali Berisha iu kthye edhe njëherë çështjes për shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Nga Lezha, pasi përsëriti lajmin se padia e tij ndaj sekretarit amerikan Blinken në Paris është pranuar, shtoi se shumë miq që kanë parë dosjen i kanë thënë se brenda saj nuk ka asnjë provë apo fakt që e implikon.
“Duan ta paraqesin Foltoren si një interes personal të Sali Berishës, të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time ‘non grata”. Kjo është e pavërtetë. Atë vendim, duke e pasur të qartë se është i bazuar në shpifje, Sali Berisha e mbajti personal. Padita për shpifje zotërinë që nënshkroi vendimin. Dua t’ju them se jo vetëm gjykatësi ka pranuar shqyrtimin e padisë time, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente dhe zero prova. Megjithatë, ftoj sekretarin e shtetit dhe këdo shtetar, institucion të mbarë botës që çdo fakt ta çojë në sallën e gjyqit”, u shpreh Berisha.