Në “Villa Bonaparte”, ambasada franceze në Vatikan, Emmanuel Macron po përgatitet për eventet dhe bisedimet e shumta që do të zhvillohen me rastin e samitit të G20-ës që po zhvillohet në Romë.
Ndërkohë, në një intervistë me “Financial Times”, presidenti francez rindez tensionet mes Francës dhe Britanisë duke thënë se tërheqja nga marrëveshjet pas Brexit “nuk është provë e besueshmërisë”.
“Lufta e peshkut” – Sulmi, i drejtpërdrejtë dhe thumbues, i drejtohet kryeministrit britanik Boris Johnson, pas shpërthimit të mosmarrëveshjes për të drejtat e peshkimit në ujërat mes dy vendeve. Tensionet rrjedhin nga numri i licencave të peshkimit të dhëna nga Londra për peshkatarët francezë.
Parisi i konsideron ato tepër të vogla dhe në kundërshtim me angazhimet e Londrës sipas marrëveshjeve pas Brexit. Konfrontimi u ndez përsëri kur administrata e Macron, njoftoi masa strikte duke filluar nga 2 nëntori, përveç se nëse politika britanike respekton paktet e licencimit deri në atë datë.
Besueshmëri – Macron, në intervistë, tha: “Ky nuk është një problem vetëm për europianët, por për të gjithë partnerët e tyre, sepse kur kaloni vite duke negociuar një traktat dhe më pas disa muaj më vonë, ju bëni saktësisht të kundërtën e asaj që vendoset, në aspekte që më pak ju përshtatet, nuk është një shenjë e madhe besueshmërie”.
Boris mes dy zjarreve – Në qendër të diskutimit, duket se janë vetëm një duzinë peshkarexhash të vogla franceze. Në realitet, i gjithë ekuilibri pas Brexit midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar po rinegociohet.
Boris Johnson gjendet i kapur mes dy zjarreve: mes akuzave për mungesë besueshmërie që vijnë nga Macron dhe kompromiseve që BE kërkon të kapërcejë problemet e krijuara në Irlandën e Veriut, për kontrollin e mallrave.
Dyshimi që francezët kanë ndaj qeverisë britanike, duket se është zbutur, megjithatë, sa i takon Shteteve të Bashkuara, Emmanuel Macron dhe presidenti amerikan Joe Biden, u takuan gjatë samitit të G20-ës për të riafirmuar bashkëpunimin e tyre.
Ç’tensionimi – Një shtrëngim duarsh i ngrohtë, buzëqeshje, përkëdhelje pas shpine. Në derën e “Villa Bonaparte” në Romë, shkrirja e akujve mes dy presidentëve është vënë në skenë në takimin e tyre të parë pas “krizës së nëndetëseve” që shpërtheu mes dy anëve të Atlantikut në shtator.
Përballja – Nga ana tjetër, përballja me kryeministrin britanik Boris Johnson, pritet të dielën gjatë G20 nën presidencën italiane. Ndër temat e takimit duket se është klima, marrëdhëniet dypalëshe, dosjet ndërkombëtare si Irani apo Afganistani, por mbi të gjitha çështja e mprehtë e peshkimit në kanalin e La Manshit.