Monika Kryemadhi i mungoi për një kohë relativisht të gjatë e kraneve shqiptare. Deklaratat e saj, që dikur ishin të shpeshta pas çdo zhvillimi në politikën shqiptare, u zbehën që pas 25 Prillit.
Në intervistën dhënë për VOA, Kryemadhi ka folur lidhur me deklaratën e presidentit Ilir Meta për rikthim të mundshëm në krye të LSI-së. Kryemadhi tha se do të pranohet çdo individ që kërkon të kontribuojë në të mirën e demokracisë.
“Nuk mund të them sa i përket kësaj. Dua të them se LSI mirëpret çdo njeri kërkon të kontribuojë për demokracinë në gjithë shoqërinë shqiptare që është cënuar dhe thyer jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit,” deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së ka dhënë detaje dhe arsyet që e bënë të heshtë përballë zhvillimeve. Për herë të parë, Kryemadhi tregon se LSI nuk humbi votat, por rezultati u tjetërsua qëllimisht nga Partia Socialiste.
“Duhet të kemi një gjë parasysh që nuk ka rrudhje të rezultatit sepse janë 110 vota. Ka një tjetërsim të sistemit zgjedhor. Ka një fyerje që i është bërë nga kryeministri dhe SHBA sepse e gjithë opozita në bashkëpunim me Këshillin Politik dhe SHBA nënshkruan një marrëveshje për të shkuar drejt një procesi zgjedhor të lirshëm dhe të ndershëm. Në mënyrë të njëanshme PS ndryshoi plotësisht Kushtetutën që cënoi zgjedhjet dhe rezultatin. Mos harrojmë procesin e listave të zgjatura, zvarritja dhe është i vetmi vend që ka 5% të votave të pavlefshme. Përgjegjësia ime është shumë e madhe për shkak të barazisë së votës, e cila në gjithë procesin e djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, çoi në kapjen e strukturave nga shteti. Djegia e mandateve ishte shumë e rrezikshme sepse solli shpërnguljen e të rinjve dhe të rejave. Ne duhet të punojmë të gjithë për vendin tonë, para se të sulmojmë politikisht të tjerët. Sot pika më kulmore është t’iu japim shpresë të rinjve shqiptarë,” tha Kryemadhi.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të thërrasë Konventën Kombëtare në dhjetor. “Rreth muajit dhjetor do të shkojmë drejt mbledhjes së Konventës Kombëtare për zgjedhjen e strukturave të reja dhe përcaktimin e një strategjie,” tha Kryemadhi.