Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dorëzoi sot rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i hapi rrugë ri-hetimit dhe gjykimit të tij për çështjen ‘Gërdeci’
Avokati Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues.
“Cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj”, u shpreh avokati.
Më tej, mbrojtja e Mediut argumenton se vendimi është i cenueshëm, sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka prishur një vendim të Gjykatës së Lartë. Për mbrojtjen, ndjekja penale për rastin është e parashkruar për shkak të viteve.
Çështja ndaj ish-ministrit është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.
Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.