Njerëzimit i ka mbaruar koha për të kthyer valën e ndryshimeve klimatike që kërcënojnë planetin, duhet bërë sa më shpejt sa nuk do jetë vonë për fëmijët tanë, ishte mesazhi i kryeministrit britanik Boris Johnson drejtuar liderëve botërorë gjatë samitit COP26 në Glasgou.
Të gjithë sytë do të jenë në Glasgou të Skocisë përgjatë dy javëve të ardhshme. Samiti për klimën, Cop26 mbledh liderët botërorë, që pritet të përballen në diskutime të tensionuara, mbi mënyrën se si do të luftohet ngrohja globale.
Ekonomitë më të mëdha, përfshirë Kinën, Indinë dhe Brazilin përballen me presion për të ashpërsuar angazhimet e tyre në çështjet, si qymyri apo shpyllëzimi.
Qëllimi është që ngrohja globale të kufizohet në 1.5 apo maksimalisht 2 gradë celsius deri në 2100. Por OKB-ja ka paralajmëruar se në kushtet aktuale rritja do të arrijë në 2.7 gradë, çka do të nënkuptonte një katastrofë klimatike.
Rreth 200 vende do të japin llogari mbi masat apo planet për reduktimin e emetimeve, ndërsa pjesëmarrësit do të jenë mbi 25 mijë.
Vendet më pak të zhvilluara po iu kërkojnë shteteve të pasura t’u japin ndihmat e premtuar për të përballuar pasojat e ndryshimeve klimatike.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, organizator i samitit, paralajmëroi se bota është një minutë larg mesnatës
“Kjo është një çështje urgjente jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë botën. Nëse do të bëja një krahasim do të thosha se mesnata është një minutë larg, koha po mbaron dhe secili duhet të bëjë më shumë. Shënuam progres në samitin e G20-s për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe mbajtëm të gjallë synimin për frenimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius deri në fund të shekullit.
Por kjo do të ndodhë vetëm nëse liderët botërore vijnë në Glasgou me angazhime të mëtejshme për t’u shkëputur nga qymyri apo karburantet fosile. Duhet të vendosim se si të kalojmë nga automjetet me karburant tek ato elektrike, apo si do të mbjellim miliona, apo triliona pemë rreth botës”, tha Johnson.
“Nuk është më koha për shpresa, qëllime apo aspirata, por për angazhime dhe afate konkrete drejt ndryshimit”, shtoi ai.
Britania e Madhe kryeson me shembullin konkret të akordimit të 12,6 miliardë sterlina gjatë pesë viteve të ardhshme (afërsisht 15 miliardë euro ose tre miliardë në vit) për të ndihmuar kalimin drejt një ekonomie të qëndrueshme globale.