Politika Rama në samitin e klimës: Vendet e vogla vuajnë pasojat e ndotësve...

Rama në samitin e klimës: Vendet e vogla vuajnë pasojat e ndotësve të mëdhenj. Na duhen grante, jo borxhe

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria po vuan pasojat e vendeve të mëdha, që janë edhe ato që ndotin më shumë planetin.

Në fjalën e tij në samitin e klimës, që po zhvillohet në Glasgou të Skocisë, Rama tha se Shqipëria është një vend jondotës, por ka nevojë për ndihmën e shteteve të mëdha për të përballur krizën energjetike.

“Ndoshta jam më i gjati këtu, por vij nga një prej vendeve më të vogla, Shqipëria. Në mbledhje të tilla ne na thonë se çfarë të bëjmë, të dëgjojmë e të mbajmë shënim. Por ende nuk mora përgjigje për pyetjen që kisha para se të vija këtu.  Si kanë ndërmend të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, një vend jondotës. Po, po, një vend jondotës”, tha Rama.

“Prodhimi ynë i energjisë bazohet 100% në energji hidrike, 100% të rinovueshme. Mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat për termocentrale për të kompensuar nevojat në muajt e thatësirës. Kështu që vendi im pyet, mos po paguajmë për shkak se po bëjmë gjënë e duhur?! Besoj se do të marrim financime për të luftuar këtë ngërç. Këto financime nuk duhet të vijnë në formën e huave, që do të na fusin në një spirale borxhesh, por në formën e granteve, që do të na fuqizojnë për të investuar”, tha Rama.