Bota Bosnja rrezikon të shpërbëhet: “Mund të rikthehet lufta”

Bosnja rrezikon të shpërbëhet: “Mund të rikthehet lufta”

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se vendi është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe tha se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga media britanike “The Guardian”, Schmidt pohon se nëse “separatistët serbë vënë në zbatim kërcënimet për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnjë do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për të penguar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.

Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt paralajmëron se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.

Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë Marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnjë do të kishte implikime më të gjera rajonale.

Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale. Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, po kërcënon me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës. Ai po ashtu ka thënë se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe do të rikrijojnë një forcë serbe. Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, vendosi një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

Në periudhën 1992-1995, lufta në Bosnjë-Hercegovinë i mori jetën mbi 100 000 personave dhe la rreth dy milionë njerëz të pastrehë. Për t’i dhënë fund gjakderdhjes, Marrëveshja e Paqes e Dejtonit u nënshkrua zyrtarisht nga presidentët e Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjës, në Paris, më 14 dhjetor 1995.