Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar këtë të martë se misioni i nismës së tij është që të krijojë kushtet e një gare të lirë dhe të hapur për kryetarin e Partisë Demokratike. Vetë Berisha, pasi disa ditë më parë shpalli kandidimin e tij në krye të PD, tha nga Kamza se nuk i shmanget kurrë garës. Ai i garantoi demokratët se nuk do t’i zhgënjejë kurrë. Berisha tregoi për qytetarët edhe se ku ndryshon ai me Sali Berishën e vitit 2013.
“Lidhur me rikthimin misioni jonë i përbashkët është të krijojmë kushtet e një gare të lirë dhe të hapur, por ju garantoj se unë nuk i shmangem asaj dhe i garantoj demokratët se kurrë nuk do t’i zhgënjej. Rikthimet në histori kanë qenë vetëm suksese. Është e vërtetë që unë rikthehem pas 8 vitesh, por nëse më pyet dikush mua çfarë ndryshimi ka Sali Berisha i vitit 2013 me Sali Berishën e vitit 2021, mund t’ju them vetëm një gjë, flej më pak se në 2013, lexoj më shumë, punoj më shumë”, tha Berisha.
Lideri historik i demokratëve tha se PD ka nevojë për ristrukturim. Ai u shpreh se forumet duhet të jenë plotësisht funksionale.
“Sa i përket ajo që thashë që do e kthejmë PD në shtëpinë e lirisë, ajo nënkupton në çdo qelizë të saj vendimet e lira. Padiskutim, nënkupton ristrukturimin e saj. A duhet të jemi forcë politike serioze ne? S’ka diskutim. Nëse shpallim se në Kuvend kemi 7 mijë vetë, kur salla më e madhe e vendit, stadiumi Selman Stërmasi zë 4 mijë ne nuk jemi seriozë. Ku i fusim ne 7 mijë vetë? Partia Angela Merkel Kuvendin e ka me 900 vetë. Partia Komuniste e Kinës ka 3 mijë delegatë. Ne dalim me 7 mijë vetë. 7 mijë vetë do të thotë nuk është serioze. Keni shtruar një gjë serioze, të drejtë. Ne do bëjmë që çdo forum të jetë plotësisht funksional. E kam treguar edhe një herë, Nuk e harroj kur Kohl më tha gjatë një dreke isha në kancelari. “Kur ra muri i Berlinit mendova se një pjesë e gjermanëve që ishin përzënë mund të ktheheshin, i kishin aty shtëpitë dhe e shtrova në kryesi. Kryesia ishte 19 vetë. Më mbështeti vetëm 1 njeri, 17 votuan kundër dhe nuk e shtrova më kurrë atë problem”. Këto janë forumet, dhe jo forumet shto miell shto ujë që shkojnë deri në asgjesim”, tha Berisha.