“Të fortët që terrorizuan Shqipërinë”. Është kjo tema që u diskutua këtë të martë në emisionin “Opinion”. Gazetari Artan Hoxha ka treguar me detaje tentativën e arratisjes nga burgu të Gazmend Brakës, ose të njohur si Gaxhai dhe Zani Çaushit.
Bashkëpunëtorët e tyre u munduan që të ndërtonin një tunel që do të shkonte brenda dhomës së takimeve speciale në burg. Për ta realizuar këtë u mor me qira një dyqan lulesh pranë burgut nga ku nisi tuneli, për të cilin u përdor stetoskop për të dëgjuar nëse kishte makina që kalonin rrugën.
Megjithatë plani u prish prej një gabimi në momentin ku u kalua një pusetë, ku gërmuesit humbën drejtimin për shkak se nuk përdorën nivel.
“Pse dhoma e takimeve speciale? Dhoma e takimeve speciale është një ambient ku të dënuarit qëndrojnë për një kohë të gjatë të izoluar me bashkëshortët e tyre dhe gjatë kësaj kohe, kur ata do të qëndronin, 4 orë apo 8 orë aty, ishte kohë e mjaftueshme që të kalonin nëpër tunel, të dilnin në fundin e lokalit, sepse në fundit e dyqanit të luleve ka qenë hyrja tjetër e tunelit. Ndërkohë në tunel kanë qenë të vendosura që të mos dëgjoheshin zhurmat, sapo fillonin punimet hapej muzika në fund. Përdornin llamba për ndriçimin dhe një stetoskop nga ato që përdorin mjekët për të parë se kur të fillonin punën në oborrin e burgut nëse kishte objekte sipër, nëse kalonin makina. Kur lëviznin makinat dridhjet shkonin deri në fund të tokës. Ata bën vetëm një gabim. Gabimi i tyre është që gjatë punës u doli një pusetë. Ata i erdhën vërdallë dhe duke i ardhur rrotull pusetës, ata deri aty kishin përdorur nivel. Kur kanë kaluar pusetën kanë humbur drejtimin dhe janë ngritur pak lart. Një mjet i blinduar, i cili ka një tonazh të rëndë, shkon diku tek 4 tonë… 11 metra është nga fundi i tunelit deri aty ku u ça se tuneli vijonte më tej. Dhe interesante është që një moment drejtori i burgut shkon për të blerë lule te dyqani i burgut. Edhe lulet i shiste shumë shtrenjtë. Ia kanë shitur një lule me 50 mijë lekë. Lulet i shisnin shumë shtrenjtë që të jepnin përshtypjen që ishin tregtarë lulesh, jo se e kishin hapur si mbulim. Çdo ditë, dheu që dilte nga tuneli futej në vazot e luleve dhe largohej çdo ditë si pjesë e dyqanit të luleve”, tha Hoxha.