Presidenti francez Emmanuel Macron do t’i dorëzojë të mërkurën Angela Merkel simbolin e Kryqit të Madh të Legjionit të Nderit gjatë vizitës së saj të fundit si kancelare gjermane në Francë.
Kjo “vizitë lamtumire” shfaqet si një moment “personal” mes dy liderëve dhe bashkëshortëve të tyre, Brigitte Macron dhe Joachim Sauer, përpara se Merkel të largohet nga politika.
Kancelarja gjermane do të japë dorëheqjen pas formimit të një qeverie të re gjermane në dhjetor.
Simboli do i jepet Merkel për të nderuar jetëgjatësinë e saj që ka udhëhequr Gjermaninë për 16 vjet dhe ka punuar me katër presidentë francezë, Zhak Shirak, Nicolas Sarkozi, Francois Hollande dhe Macron.
“Kryqi i Madh është dallimi më i lartë i Legjionit të Nderit, i cili mishëron soliditetin e miqësisë franko-gjermane, të ruajtur nga Angela Merkel,” – thuhet në deklaratën e presidencës franceze.
Në muajt e fundit, presidenti francez e ka nderuar në disa raste, duke vlerësuar “përkushtimin”, “durimin” dhe “aftësinë për të dëgjuar” të kancelares me të cilën ka bashkëpunuar ngushtë në skenën europiane. Sipas tij, “Europa nuk mund të ecë përpara nëse Gjermania dhe Franca nuk janë dakord”.
Presidenca franceze sqaroi gjithashtu se Macron ka zgjedhur Beaune për të realizuar takimin e pritjes, si një qytet që me monumentet historike dhe verën e mirë ilustron pasurinë e trashëgimisë franceze.