Prokuroria e Përgjithshme çoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit për Tom Doshin.
Prokuroria thotë se në vitin 2010 në Gjendjen Civile emri i Doshit dhe babait të tij, Gjek Doshi, janë regjistruar “Tom” dhe “Gjek” Doshi, ndërkohë që në regjistrat e viteve 1950 dhe 1974, emri i tij ishte Tomë dhe i babait Gjekë. Sipas prokurorisë, ky regjistrim është bërë gabimisht.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Doshi rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg në maj të vitit 1990 për akuzën “sjellje e padenjë në shoqëri”, ndërkohë që ishte akuzuar edhe për “plagosje të rëndë me dashje” të kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë, ai ka qenë person nën hetim apo është akuzuar për disa vepra të tjera penale që nga viti 2008, si goditje për shkak të detyrës, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, kallëzim i rremë, refuzim apo deklarim i rremë i pasurisë, por për asnjërën prej këtyre akuzave nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Prokuroria gjithashtu thotë se nuk rezulton të ketë indicie apo të dhëna e fakte të bëra publike në lidhje me veprimtari kriminale të kryer nga Doshi jashtë territorit të Shqipërisë, apo që të jetë hetuar ose gjykuar nga ndonjë gjykatë e huaj. Gjithashtu, nuk rezulton të ketë pasur ndonjëherë urdhër-kërkimi ndërkombëtar në emër të tij.
Gjatë fushatës, ai ishte nën shënjestrën e ambasadës amerikane për shkak të përcaktimit publik nga Sekretari amerikan i Shtetit, si i papërshtatshëm për t’u pajisur me vizë amerikane, pasi është i përfshirë në korrupsion madhor.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate ka mohuar akuzat, por Doshi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit menjëhere pas zgjedhjeve të 25 prillit.