Pas gjashtë vitesh, Xavi Hernández kthehet te Barcelona. Ishte larguar pas 17 sezonesh dhe 25 titujsh, lojtar, kapiten, simbol, tani kthehet si trajner. Ishte larguar në Doha, në fillim për të luajtur dhe më pas si trajner, sot mbyll një etapë në Katar: gjashtë vite dhe shumë tituj edhe aty.
Tani do të jetë trajner i Barcelonës për pjesën e mbetur të sezonit, plus dy sezonet e ardhshme. I pari që e njoftoi marrëveshjen ishte Al-Sadd në rrjetet sociale:
“Administrata e Al-Sadd ka arritur një marrëveshje me FC Barcelona, pas pagesës së klauzolës së lirimit, të parashikuar në kontratën e Xavi. Ne kemi rënë dakord të bashkëpunojmë me Barcelonën në të ardhmen. Xavi është një pjesë e rëndësishme e historisë së Al-Sadd dhe i urojmë suksese.
Ai na informoi disa ditë më parë se dëshironte të shkonte te Barcelona në këtë moment të veçantë, për shkak të fazës kritike që po kalon klubi i vendlindjes dhe ne e kuptojmë këtë, ndaj vendosëm të mos ndërhyjmë në rrugën e tij. Xavi dhe familja e tij do të vazhdojnë të jenë të mirëpritur në Doha, marrëdhënia jonë do të vazhdojë”.
Sa i përket kontratës profesionale, Xavi do të marrë një pagë më të ulët se tek Al-Sadd, pasi Barcelona ka paguar klauzolën e lirimit prej 5 milionë euro. Pa paguar këtë të fundit nuk u bë e mundur ndërprerja e kontratës me klubin e Katarit.
Xavi pritet të mbërrijë në Barcelonë gjatë fundjavës, ndërsa prezantimi i tij si trajner i ri Blaugrana do të bëhet të hënën e ardhshme, më 8 nëntor në “Camp Nou”.