Një person i dyshuar si spiun, i cili ishte pjesë e ambasadës ruse në Berlin, është gjetur i pajetë, raporton “Telegraph”.
Më herët, lajmi u bë i ditur nga gjermania “Der Spiegel”, sipas të cilës, oficerët e policisë së Berlinit gjetën trupin e pajetë të diplomatit rus pranë godinës së ambasadës më 19 tetor. Në raportim, thuhej se diplomati kishte rënë nga dritarja e godinës në lagjen Mitte të Berlinit.
Këtë të premte, reagoi edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë, duke bërë të ditur se ishte në dijeni të rastit, por refuzoi të jepte më shumë detaje. Autoritetet gjermane nuk kanë mundur të kryejnë autopsinë pasi viktima kishte imunitet diplomatik.
Identiteti i diplomatit rus nuk bëhet i ditur, ndërsa mediat ruse raportojnë se ai ishte 35 vjeç dhe shërbente si sekretar në ambasadë që prej verës së vitit 2019, ndërsa sipas “Telegraph”, ai besohet se ishte pjesë e shërbimit të inteligjencës, FSD. Në lidhje me këtë ngjarje, ambasada ruse ka refuzuar të komentojë.
Sipas “Telegraph”, ky është rasti i fundit i një numri të madh diplomatësh rusë në shtete të ndryshme të botës, të cilët ka humbur jetën në mënyrë misterioze.