I ati i Igli Tares, Isa Tare, njeriu që mban titullin Mjeshtri i Madh, ka rrëfyer ecurinë e karrierës së të birit.
Ndryshe nga Auroni që u bë basketbollist, Igli do qe një talent në futboll.
Një emër te Partizani i fundviteve ’80-të, me ndërrimin e sistemeve, ai provoi të luante në Europë.
Po si ndodhi kjo?
I ati rrëfeu këtë rrugëtim në një intervistë për Report Tv.
“Kam paguar 1500 dollarë që kam marrë një vizë çeke për të që e kam dërguar nëpërmjet Pragës. Në mes të dimrit, në shkurt, është nisur në këmbë me një korçar që ishte me të gjithë motrën, kanë kaluar drejt Mynihut ndërkohë që bota ishte sipër brezit. Kur arriti në Gjermani shkonte bënte stërvitje dhe kur kthehej nuk gjente ushqim. Kamp ishte, dhe kur kthehej ia kishin ngrënë shokët”, na tregon Isa Tare.
Por më parë, ai ka patur një përvojë me grekët, të cilët donin ta kishin Igli të tyrin.
“Grekët kërkuan që ta merrnin. Erdhi një përfaqësues grek këtu në Shqipëri dhe më tha ‘të ndihmojmë në ambasadë’ sepse donin që të bëhej vorio-epirot. Unë iu thash lërë se e rregulloj vetë”, tha Isa Tare.
Për të tashmen e raporteve me Iglin, i ati i tre djemve të njohur Tare, vetëm njëri larg sportit, i cili u bë diplomat, Genti, aktualisht zv.ministër i Jashtëm, thotë:
“Ne shkojmë vazhdimisht nga dy-tre në vit në Romë. Shkojmë, takohemi, rrimë nga një muaj, shikojmë ndeshjet dhe sidomos derbin e Romës. Dhe ai vjen këtu, kemi marrëdhënie shumë të mira. Na ndihmon nga të gjithë anët edhe financiarisht”, tha Isa Tare.