Ai është pagëzuar si “Zoti i qiejve”, por edhe njeriu me shumë fytyra. Ishte një ndër trafikantët e kokainës më të mëdhenj të historisë së Meksikës dhe të gjithë botës, para se El Chapo të dilte në skenë si protagonist.
Amado Carrillo Fuentes vlerësohet se kishte një pasuri personale prej 25 miliardë dollarëve. Në mesin e viteve 1990, ai konsiderohej si një prej trafikantëve më të fuqishëm.
Historia e tij tregohet në serialin e Netflix, Narcos: Mexico.
I lindur në një familje me 11 motra dhe vëllezër, ai ishte nipi i bosit të Kartelit të Guadalaharës, Ernesto Fonseca Carrillo. Me xhaxhain si mentor, ai nisi edhe të merrej me trafikun e drogës. Gjatë funksionimit të kartelit famëkeq, ai ishte përgjegjës për transportin e lëndës narkotike në SHBA. Pas shpërbërjes së kartelit, u bë bosi i Kartelit të Huarezit, pasi vrau mikun dhe ish-shefin, Rafael Aguilar Guajardo. Nofkën “Zoti i Qiejve” e fitoi për shkak se përdorte një flotë të vërtetë me avionë privatë për të transferuar kokainën deri në SHBA.
Si një prej personave kryesorë përgjegjës për futjen e lëndëve narkotike në Shtetet e Bashkuara, autoritetet amerikane e futën në listën e personave më të kërkuar, sidomos pas arrestimit të Padronit të drogës në Meksikë, Miguel Angel Felix Gallardo.
Për t’i shpëtuar arrestimit, Carrillo bënte shpesh operacione plastike, prej nga edhe mori nofkën njeriu me shumë fytyra. Në një operacion të tillë, më 4 korrik 1997, pas ndërlikimeve ai ndërroi edhe jetë. Por edhe pse vdekja e tij u konfirmua nga autoritetet amerikane dhe meksikane, shumë konspiracionistë thonë që ai nuk vdiq atë ditë. Kjo edhe për faktin që njeriu që kreu operacionin, Jaime Godoy Singh, u gjet i vrarë bashkë me asistenten e tij.
Në serialin e Netflix, Carrillo, i cili është protagonist i sezonit të tretë të Narcos: Mexico, interpretohet nga aktori Jose Maria Yazpik.
Pas vdekjes së tij, vëllezërit dhe djemtë e tij vijuan të drejtonin punët e kartelit, të bazuar në Huarez, një qytet në kufi me qytetit amerikan El Paso, Teksas.
Për vite me radhë Karteli i Huarezit zhvilloi një luftë të përgjakshme për territor me atë të Sinaloas, të drejtuar nga El Chapo, por vitet e fundit ka pasur edhe një luftë të brendshme mes fraksioneve të ndryshme të kartelit.