Në mbylljen të takimit të radhës të Foltores, nga Lushnja ish-Kryeministri Sali Berisha njoftoi se të dielën do të mbajë foltoren e pare me të rinjtë nga i gjithë vendi. Ky takim do të zhvillohet në Tiranë.
“Ditën e diel ftoj të rinjtë e Lushnjes dhe të mbarë Shqipërisë në foltoren e parë me të rinjtë shqiptarë”, tha ish-Kryeministri.
Më herët, Berisha u bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen foltores së tij për ta shndërruar PD-në, në shtëpinë e lirisë.
“Duke ardhur këtu shoh lajmet unë, “ka vendosur pa pyetur udhëheqjen e rinisë së PD në kokë të tij krijimin e një komisioni për të bërë zgjedhjet në forumin rinor. Një akt stalinist i mirëfilltë dhe i turpshëm. Të rinjtë tek ne dhe gratë nuk janë leva të partisë, janë forume me të cilët ndajmë të njëjta vlera, principe dhe qëllime. Kanë vendin e tyre, kanë pavarësinë e tyre. Siç ka vepruar sot kryetari pa parti në 30 vite nuk ka vepruar kurrë një njeri i vetëm. Këto mund t’i bënte vetëm diktatori. Edhe ai ndiqte ndonjë procedurë. U bëj thirrje të rinjve, të marrin në dorë këtë foltore siç po e marrin çdo ditë e më shumë. Kjo foltore, është para së gjithash për të shndërruar PD në shtëpinë e lirisë. Kjo foltore synon të vendosim rregullat demokratike brenda nesh, të vendosim vullnetin tuaj, votën tuaj, vendimin tuaj si themel të veprimtarisë së PD-së. Kjo foltore nuk drejtohet kurrë ndaj atyre demokratëve që mendojnë ndryshe nga ne, nuk drejtohet kurrë kundër aleatëve, partnerëve apo miqve tanë. Kjo foltore është një përpjekje e madhe e burrave dhe grave për të shpëtuar opozitën nga rrënimi i saj”, tha Berisha.
Dy ditë para se Sali Berisha të mbledhë të rinjtë demokratë në një Foltore të posaçme në Tiranë, Lulzim Basha urdhëroi hapjen e garës për riorganizimin dhe zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Kundërpërgjigjet Basha
Një njoftim i zyrës së shtypit thekson se “mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën”.
Për zgjedhjet në FRPD, Basha ka urdhëruar edhe ngritjen e një grupi pune që do të ndjekë procesin, i cili përfundon me zgjedhjen e kryetarit përmes formulës 1 anëtar 1 votë.
Njoftimi i PD kujdeset të nënvizojë se kryetarit aktual, Belind Këlliçit, i ka mbaruar mandati në vitin 2019. Tashmë i zgjedhur deputet, Këlliçi është mes atyre që nuk kanë dalë publikisht në krah të Bashës, në përplasjen mes kryetarit dhe liderit historik Berisha. Ditët e fundit Belind Këlliçi është përfolur se mund të mbështesë Sali Berishën duke marrë pjesë në Foltoren e të dielës me të rinjtë demokratë.