“Është e qartë për të gjithë se CoP26 është një dështim”. Kështu deklaroi Greta Thunberg nga Glasgou, duke akuzuar liderët dhe të fuqishmit e botës se “fjalimet e mira” janë për të fshehur “fjalët boshe”.
Aktivistja e re suedeze denoncon konferencën e klimës që po zhvillohet në Skoci dhe thotë se kërcënimi i ndryshimit të klimës nuk mund të trajtohet me të njëjtat metoda, ndërsa akuzon delegatët për përdorimin e “marrëveshjeve dhe statistikave jo të plota” për të mbrojtur “biznesin dhe status quo-në”. “Ky COP është një festival i Global Green North. Një festë e bla bla bla, por njerëzit më të prekur mbeten të padëgjuar. Ne nuk kemi nevojë për premtime boshe. Udhëheqësit nuk mund të injorojnë konsensusin shkencor, njerëzit, apo fëmijët e tyre. Ne jemi të lodhur nga bla, bla, bla. Udhëheqësit tanë nuk po udhëheqin”, u shpreh ajo.
Sipas aktivistes suedeze faktet nuk gënjejnë, teksa theksoi nevojën për një ulje drastike dhe të menjëhershme të emetimeve të gazrave.
“Ne kemi nevojë për një ulje drastike dhe të menjëhershme të emetimeve. Por ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht shoqërinë tonë. Kriza klimatike buron nga parimi që ata që kanë më shumë kanë të drejtë të shfrytëzojnë të tjerët. Por kjo nuk i thuhet COP, është e pakëndshme. Më mirë ta injorosh. Kanë qenë 26 samite të klimës (COP), dekada bla bla bla, por ndërkohë vazhdojnë të ndërtojnë infrastruktura të reja për lëndët djegëse fosile, të hapin miniera të reja qymyri dhe të mos paguajnë dëmet për vendet më të prekura. Kjo është e turpshme. Na thuhet se jemi radikalë, por ta mbash botën në 2.7 gradë ngrohje nuk është radikale, është çmenduri”, përfundoi Greta.