Politika Pas FRPD-së, Basha hap garën edhe në Forumin e Gruas që drejtohet...

Pas FRPD-së, Basha hap garën edhe në Forumin e Gruas që drejtohet nga Albana Vokshi

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përveç garës për FRPD-në, ka hapur garën edhe për drejtuesen e Forumit të gruas.

Ky forum drejtohet nga deputetja Albana Vokshi, e cila kohët e fundit e ka kritikuar Bashën, ndërsa është deklaruar pro Sali Berishës.

“Pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor. Kryetari i PD Lulzim Basha udhëzoi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet me emërim që prej vitit 2012, si dhe të organeve të tjera drejtuese të Lidhjes së Gruas. Zgjedhja e kryetares së LDGSH-së do të bëhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Kjo është hera e parë që anëtareve të Forumit të Gruas u njihet e drejta për të zgjedhur drejtuesen e tyre me votë direkte”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Vokshi reagoi mbrëmjen e kaluar për vendimin për hapjen e garës në FRPD nga kryedemokrati Basha, duke thënë se organizatat partnere si FRPD apo LDGSH (Lidhja Demokratike e Gruas), kanë statut të veçantë dhe funksionojnë e organizohen në bazë të tij.

Sikurse njofton PD, Basha ka ngritur një grup të posaçëm për zgjedhjet në LDGSH i kryesuar nga Grida Duma: “Grupi i punës do të mbikqyrë mbarëvajtjen e procesit për zgjedhjen e Kryetares dhe zgjedhjet dhe riorgarnizimin e të gjitha forumeve të tjera të LDGSH në qendër dhe në degë. Në LDGSH mungojnë prej vitesh forume të tilla drejtuese si kryesia apo Këshilli Kombëtar i LDGSH-së.”

Grupi i punës për zgjedhjet në LDGSH-së përbëhet nga:

Grida Duma
Arta Sakja
Dhurata Çupi
Orjola Pampuri
Greta Bardeli
Alfrida Marku
Ina Zhupa
Eralda Tase Bano
Zheni Gjergji
Ledina Aliolli