Prodhimi botëror i verës pritet të bjerë në një nga nivelet rekord më të ulëta pasi moti i keq dëmtoi vreshtat në rajonet kryesore prodhuese të verës në Europë.
“Kushtet ndikuan rëndë prodhimin në Itali, Spanjë dhe Francë, duke rezultuar në vëllime prodhimi jashtëzakonisht të ulëta“, tha Pau Roca, drejtori i Organizatës Ndërkombëtare të Hardhisë dhe Verës (OIV) në një deklaratë.
Bazuar në informacionin e mbledhur nga 28 vende, të cilat përfaqësojnë 85% të prodhimit botëror në vitin 2020, OIV përcaktoi prodhimin botëror për vitin 2021 midis 247.1 dhe 253.5 milionë hektolitra (mhl) (një hektolitër është i barabartë me 133 shishe standarde), me një vlerësim të intervalit mesatar në 250.3 mhl.
Ky do të shënonte vitin e tretë radhazi të prodhimit nën mesatare dhe do t’i afrohej nivelit të vitit 2017 prej 248 mhl, më i vogli në gjashtë dekada, sipas OIV.
Vreshtat në Europën Perëndimore u goditën nga ngricat e pranverës, ndërsa prodhuesit francezë gjithashtu u përballën me shiun e madh, breshrin dhe sëmundjen e mykut.
Tendencat e konsumit global ishin gjithashtu inkurajuese me ndërprerjen e vazhdueshme të turizmit, të lidhur me pandeminë.
“Ne ende presim që konsumi global të rritet në krahasim me vitin 2020“, tha Roca.
Nëse prodhuesit e verës u përshtatën relativisht mirë me krizën Covid-19 vitin e kaluar, ata tani “po përballeshin me një problem shumë më të madh se pandemia: ndryshimin e klimës”, tha Roca.
Ai tha se ndryshimet e pafavorshme të motit po ndodhin gjithnjë e më shpesh.
Ndërsa “nuk ka vaksinë” kundër ndryshimeve klimatike, ai tha se “ka zgjidhje afatgjata që do të kërkojnë përpjekje të mëdha në drejtim të praktikave të qëndrueshme për kultivimin e hardhisë dhe prodhimin e verës”. Ai tha se përshtatja ishte një “domosdoshmëri urgjente” për industrinë.
Një zhvendosje në shitjet në internet ka ndihmuar gjithashtu industrinë e verës gjatë pandemisë.
“Megjithatë, një rënie e pritshme e kërkesës kineze mund të kufizojë një rritje vjetore të konsumit”, tha Roca.
“Në Bashkimin Europian, prodhimi parashikohet të bie në 145 mhl, 13% më pak nga viti i kaluar”, tha ai.
Ndërkohë, në hemisferën jugore, moti i favorshëm do të sjellë prodhim të lartë në vendet kryesore prodhuese, me përjashtim të Zelandës së Re. Prodhimi total për hemisferën jugore është parashikuar në një rekord prej 59 mhl, 19% më shumë nga viti i kaluar.