Sport Barcelona prezanton Xavi-n: Do rikthehemi aty ku na takon

Barcelona prezanton Xavi-n: Do rikthehemi aty ku na takon

Xavi Hernandez rikthehet në shtëpi pas 6 vitesh. Një ditë historike për tifozët e Barcelonës, pasi ish-kapiteni i skuadrës, Xavi Hernández merr frenat e ekipit, duke u zyrtarizuar në stolin e katalanasve. Një nga lojtarët më të mirë në historinë e Barçës merr kështu detyrën duke pasuar Sergi Barjuan, që zëvendësoi holandezin Ronald Koeman i cili u shkarkua më 27 tetor.

Xavi u prezantua në Camp Nou përpara një numri të konsiderueshëm tifozësh, të cilët kishin mbushur shkallët e stadiumit, duke vërtetuar se populli blaugrana beson te ai. 41-vjeçari u prezantua nga presidenti, Joan Laporta dhe në sfond me himnin e Barcelonës, ai shfaq i lumtur.

“Fillimisht dua të falenderoj klubin për besimin dhe jam këtu për të bërë mirë, për të fituar dhe për të rikthyer skuadrën aty ku e meriton. Jam shumë, shumë i lumtur që jam këtu, në shtëpi, në klubin më të madh në botë. Do provojmë të ringrihemi shumë shpejt, të fitojmë çdo ndeshje dhe të rikthejmë trofetë, këtu në këtë stadium”, ishin fjalët e para të Xavi-t i cili ishte i pranishëm në prezantim sëbashku me familjen e tij.

Pas fjalimit të shkurtër, Laporta dhe Xavi u zhvendosën drejt firmës zyrtare që e lidh atë për dy vite me Barcelonën me opsion rinovimi.

Pas firmës edhe Laporta u shpreh i lumtur për këtë marrëveshje: “Xavi mirë se erdhe në shtëpi. Jam shumë i lumtur, shumë i emocionuar që je këtu”.

Pritshmëritë te Xavi janë të mëdha, edhe pse vjen në një moment shumë të vështirë, ndoshta më i vështiri si në aspektin sportiv, po ashtu edhe në atë ekonomik në kohët e fundit. Xavi është një personalitet i dashur në Barcelonë, i cili ka në ADN-ën e tij filozofinë e Cruyff dhe po ashtu ishte regjisori i skemave të Pep Guardiolës, ndaj tifozët, lojtarët dhe klubi ëndërrojnë dhe besojnë të Xavi i cili shihet si njeriu i duhur për të ringritur klubin. Të gjithë tashmë janë në pritje për ditë më të mira dhe për të lënë pas këtë situatë të vështirë, por koha dhe rezultat do ta tregojnë ndikimin e Xavi-t te Barcelona.