Sport Sacchi analizon derbin: Milan me kurajo, Interit i duhet mentaliteti europian

Sacchi analizon derbin: Milan me kurajo, Interit i duhet mentaliteti europian

Arrigo Sacchi analizon derbin e Milanos, që përfundoi 1-1. “Gazzetta dello Sport” intervistoi ish-trajnerin e për atë që tregoi derbi i Madoninës: “Pjesa e parë ishte shumë argëtuese. Milani e filloi fuqishëm, shtypi menjëherë gazin dhe mbajti një ritëm që unë do ta përcaktoja një ritëm europian. Në Itali, në përgjithësi luhet më ngadalë, ndërsa në Kupat e Europës aplikohen ritme të furishme. Në fakt, Milani arriti të bënte presion në zonën e sulmit dhe të rrëmbente shumë topa aty.

Interi? Qëndroi disi në pritje dhe tentoi kundërsulmin. Zikaltrit shfrytëzuan gabimet e kuqezinjve dhe goditën me penallti. Megjithatë, tre qendërmbrojtësit pothuajse nuk marrin pjesë në lojë dhe kështu, Interi përfundon duke e ndërtuar manovrën jashtë mundësive numerike.

Fotografia e derbit ishte e tillë: njëra skuadër, Milani, u përpoq të promovonte futbollin e bukur, ndërsa tjetra, Interi, u përpoq të fitonte mbi të gjitha. Lojtarët zikaltër patën mundësi të rëndësishme, kjo duhet mbajtur mend, sepse në fund të herës, si Barella, ashtu edhe Lautaro ishin afër shënimit.

Barazimi 1-1 mund t’i ketë kënaqur të dyja skuadrat, por nëse vërtet duan të bëhen të mëdhenj, duhet të përmirësohen. Milani është në rrugën e duhur. Interi po bën përparim, por duhet ta përqafojë më shumë futbollin ndërkombëtar.

Portieri i Milanit ishte shumë mirë. Dhe pastaj e gjithë linja mbrojtëse, përveç Ballo Tourè, që nuk më bindi. Do të thoja gjithashtu se Tonali e Calabria dëshmuan rritje të madhe. Tek Interi, në pjesën e dytë më bëri përshtypje Perisic, futi disa topa të mirë në mes të zonës kundërshtare.

Pastaj Barella, që më pëlqen gjithmonë, sa keq që u lëndua. Shpresoj të mos jetë asgjë serioze dhe këtë e them duke menduar për kombëtaren. Brozovic është gjithmonë i dobishëm në mesfushë; shpërndan topat, organizon lojën dhe rinis aksionet”.