Një fragment mbi racizmin nga autobiografia e Will Smith, “Will”.
Unë e kam dëgjuar hapur pesë ose gjashtë herë në jetën time të më quanin “zezak”: dy herë nga oficerë policie, në disa raste nga njerëz krejtësisht të panjohur, në një rast nga një “mik” i bardhë, por kurrë nga dikush që mendoja se ishte i zgjuar apo i fortë. Një herë dëgjova disa fëmijë të bardhë në një shkollë duke bërë shaka për një ditë të “gjuetisë së zezakëve”, një “festë” shumë e njohur siç duket në lagjet e tyre. Në fillim të viteve 1900, disa anëtarë të komunitetit të bardhë “Philly” zgjodhën një ditë specifike për të sulmuar çdo zezak që shihnin duke ecur nëpër lagje. Shtatëdhjetë vjet më vonë, disave prej shokëve të mi të shkollës katolike iu duket sërish argëtuese të tallen me njerëzit me ngjyrë.
Por çdo përvojë reale që kam pasur me incidente të drejtpërdrejta raciste ka ndodhur me njerëz që në rastin më të mirë i kam konsideruar si armiq të brishtë. Njerëz që në sytë e mi dukeshin të mërzitshëm dhe të zemëruar dhe që nuk dukeshin aspak të vështirë për t’u fituar apo për t’u shmangur. Si rezultat, kjo formë e racizmit të hapur, ndonëse e rrezikshme dhe e gjithëpranishme si një kërcënim i jashtëm, nuk më ka bërë kurrë të ndihem inferior.
Unë u rrita me besimin se isha i zoti për të përballuar çdo problem që mund të lindte në jetën time, duke përfshirë racizmin. Një kombinim i punës së palodhur, arsimimit dhe besimit në Zot do të shkatërronte çdo pengesë apo armik. Përkushtimi ishte një tjetër plus në betejën time.
Megjithatë, sa më shumë rritesha, aq më shumë bëhesha i vetëdijshëm për disa forma të heshtura, të pathëna dhe më tinëzare të paragjykimeve, sepse ato fshiheshin gjithmonë. Futesha në telashe më të mëdha nëse bëja të njëjtat gjëra që bënin shokët e mi të bardhë të klasës. Unë flisja më rrallë dhe mendoja se mësuesit më merrnin më pak seriozisht.
Pjesën më të madhe të fëmijërisë sime e kalova në dy kultura: në botën e zezë, në shtëpi, në lagje, në kishën baptiste dhe në dyqanin e Papos; dhe në botën e bardhë të shkollave, Kishës Katolike dhe kulturës mbizotëruese në Amerikë. Shkoja në një kishë ku e frekuentonin ekskluzivisht zezakët, jetoja në një rrugë të banuar vetëm nga zezakët dhe u rrita duke luajtur kryesisht me fëmijë të tjerë me ngjyrë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, unë isha një nga tre fëmijët e vetëm me ngjyrë që shkoi në Zoja e Lourdes, shkolla lokale katolike.
Në shkollën katolike, sado i zgjuar dhe i mirë të ishe, ishe ende një fëmijë i zi. Në Wynnefield, pavarësisht se sa i përditësuar isha në muzikë apo modë, nuk kam qenë kurrë aq i zi. Unë u bëra një nga artistët e parë të hip hop-it që u konsiderua “i sigurt” mjaftueshëm për audiencën e bardhë.
Por audienca e zezë më etiketoi si një djallëzor. Një dinamikë racore, kjo, e destinuar të më jepte mundimin për gjithë jetën.
Por ashtu si në shtëpi, të bëja një shfaqje dhe t’i bëja njerëzit të qeshin u bënë shpata dhe mburoja ime.
Unë isha kllouni klasik i klasës, që tregonte batuta, tregonte barsoleta dhe nuk pushonte së bëri budallallëqe.
Dhe për sa kohë që isha fëmija gazmor, kjo do të thoshte se nuk isha vetëm fëmija i zi. Qesharak është një koncept që shkon përtej paragjykimeve racore; komedia zbut çdo negativitet.
Është e pamundur të jesh i zemëruar, i inatosur ose i dhunshëm kur mbivendoset e qeshura.