Një ekspozitë fotografie nuk është e zakontë për jetën artistike të kryeqytetit, por akoma më pak e zakontë është kjo seri fotosh që ka sjellë artisti Renuar Locaj. Një realitet i largët në kujtesën dhe përjetimet e shqiptarëve, por aq i prekshëm në kahun tjetër tashmë: Shqipëria si mikpritëse e refugjatëve nga kombësi të ndryshme si Siria, Afganistani, Iraku, Sudani, etj.
Nëpërmjet këtyre fotove, të cilat janë realizuar me mbështetjen e Caritas Albania, UNHCR, Caritas Austria dhe Caritas Italia, përcillet dhimbja, pasiguria dhe shpresa e këtyre njerëzve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe të sigurt.
Mund të zbulosh shumë emocione në këto foto, të miksuara në një fytyrë të vetme. Shihet qartë padurimi i të rinjve për të zbuluar atë që ju ka rezervuar e ardhmja dhe njëkohësisht dhe dhimbja për atë që kanë lënë pas në vendin e tyre.
Fotot janë realizuar në kampet e refugjatëve, në pikat kufitare përreth Shqipërisë, dhe kanë ardhur me mjeshtëri tek publiku, si histori të cilat lidhen me njëra tjetrën nga e njëjta ëndërr.