Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se Shqipëria e meriton nisjen e negociatave, por kjo do të varet nga zgjidhja e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Duhet të zgjidhim problemin. Të dielën kemi zgjedhje atje dhe shpresoj të zgjidhet. Keni bërë përparime dhe kjo është arsyeja pse ne jemi dakord që të fillojnë negociatat”, tha Rutte në një konferencë për mediat me kryeministrin Rama në Tiranë.
Duke u shprehur shumë i lumtur për lidhjet dypalëshe, Rutte theksoi se Holanda është investuesi më i madh në Shqipëri. “Ju siguroj që këto kompani po punojnë që të bëjnë edhe më shumë biznes. Le të vijojmë të punojmë kështu, të takohemi. Kemi objektiva afatgjatë”, tha ai.