Politika Kush janë deputetët më të besuar të PS-së dhe PD-së?

Kush janë deputetët më të besuar të PS-së dhe PD-së?

Pesë gra dhe një burrë nga dy partitë kryesore në vend janë deputetët që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve.

Ogerta Manastirliu (18,4%), Belinda Balluku (15,1%) dhe Olta Xhaçka (11,8) janë tre deputet socialiste që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve. Manastirliu është njëkohësisht ministre e Shëndetësisë, Balluku e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Xhaçka e Punëve të Jashtme.

Ato janë dhe tre deputetet socialiste që gëzojnë besimin më të madh mes atyre që kanë votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit, respektivisht 35,2%, 26% dhe 19,1% e votuesve socialistë i rendisin ato mes tre deputetëve më të besuar.

Nga deputetët demokratë më të besuarit në publikun e përgjithshëm janë Grida Duma (21.2%), Agron Shehaj (20,5%) dhe Jorida Tabaku (9,8%). Duma dhe Tabaku janë Nënkryetare të Partisë Demokratike kur Shehaj kandidoi kundër Bashës në zgjedhjet e qershorit për kreun e PD-së .

Mes votuesve demokratë ata janë sërish tre më të besuarit, por në një masë ndjeshëm më të madhe, veçanërisht Duma (44,6%) dhe Shehaj (36,1%).

Të dhënat janë gjetjet e Barometrit të Euronews, në të cilin qytetarëve iu kërkua të tregojnë për secilën parti kryesore se cilët janë tre deputetët tek të cilët ata kanë më shumë besim, jashtë udhëheqësve të partisë.

Vrojtimi i Euronews Albania u realizua nga MRB dhe Data Centrum, në shkallë vendi, në periudhën 20-29 tetor 2021.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve, dy në dhjetë, përzgjedhin Grida Dumën si një nga deputetet tek e cila kanë më shumë besim. Nga votuesit e PD-së, thuajse 45% përzgjodhën Dumën si një nga tre deputetët më të besueshëm të partisë.

Deputeti i dytë demokrat tek i cili shqiptarët kanë më shumë besim është Agron Shehaj. Deputeti që doli i dyti në partinë e tij për nga votat preferenciale të marra ditën e zgjedhjeve të 25 Prillit, duket se gëzon besimin e 20% të shqiptarëve. Shehaj është përzgjedhur gjithashtu si më i besuari nga 36% e votuesve të Partisë Demokratike.

Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku është deputetja e tretë demokrate e përzgjedhur nga shqiptarët si një nga tre më të besuarat. 9,8 e gjithë shqiptarëve dhe 18,6% e votuesve të PD përzgjodhën Tabakun për listën e deputetëve më të besuar për ta.