Bota Çfarë po ndodh në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë

Çfarë po ndodh në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë

Vendet perëndimore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mes tyre edhe Shqipëria, dënojnë Bjellorusinë për krizën

Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dënuan Bjellorusinë të enjten për atë që ata e quajtën “instrumentalizim cinik i emigrantëve”, ndërsa tensionet po vlojnë përgjatë kufirit të Polonisë me Bjellorusinë.

“Ne (Shtetet e Bashkuara, Britania, Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria) e dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jetët dhe mirëqenia e të cilëve janë vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia, me synimin për të destabilizuar vendet fqinje dhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e saj në rritje të të drejtave të njeriut”, tha ambasadori i Estonisë, Sven Jürgenson, në emër të shtatë vendeve perëndimore.

Vala e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afganistani u rrit ndjeshëm, pasi Bashkimi Europian vendosi sanksione ndaj Minskut, i cili në muajin maj detyroi uljen e një avioni komercial që fluturonte mbi territorin bjellorus. Autoritetet arrestuan një gazetar të opozitës bjelloruse dhe të dashurën e tij, me të zbritur nga avioni.

Tani mijëra emigrantë që kanë udhëtuar legalisht në Bjellorusi, po përballen me një fat të pasigurt dhe temperatura të ulëta përgjatë kufirit me Poloninë.

Të martën, Polonia mbylli një vendkalim kufitar me Bjellorusinë pasi emigrantët u përpoqën të kalonin në territorin polak.

Më herët, udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë kërcënoi se do të ndërpresë furnizimin me gaz në Europë nëse vendosen sanksione të reja.

Vendet europiane dhe baltike akuzojnë presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për joshjen e emigrantëve në vendin e tij dhe më pas lehtësimin e udhëtimit të tyre në kufi, për t’i dërguar në Poloni, Lituani dhe Letoni. Emigrantët shtrojnë kërkesa për strehim kur arrijnë në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

“Kjo taktikë është e papranueshme dhe kërkon një reagim dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar për ta mbajtur Bjellorusinë përgjegjëse”, tha ambasadori Jürgenson. “Ajo dëshmon se regjimi i Lukashenkos është shndërruar në një kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale”.

Nga frika se mund të shndërrohet në një front të ri në këtë krizë, Ukraina, e cila nuk është anëtare e BE-së, do të dërgojë 8,500 ushtarë dhe policë si dhe 15 helikopterë, për të ruajtur kufirin e saj me Bjellorusinë, tha të enjten agjencia e lajmeve Reuters.