SPAK njoftoi sot se ka sekuestruar shumën prej 18 milionë euro, ndërsa ka shpallur në kërkim Rezart Taçin dhe ka arrestuar dy njerëzit e tij, Bledar Lilon dhe Artur Balla.
Nga kërkimet e kryera nga policia rezulton se Taçi ndodhet në Milano. Në Tiranë është arrestuar truproja personale e Rezart Taçit, Bledar Lilo dhe Artur Balla i cili është kunati i Rezart Taçit.
Në këtë hetim janë përfshirë dhe 3 shtetas italianë banues në Palermo. Të tre përfaqësojnë një seri biznesesh në Palermo dhe qytete të tjera dhe dyshohet se janë të lidhur me rrjetet mafioze të “Cosa Nostra-s”.
Ajo që bie në sy të SPAK është mënyra se si janë kryer transaksionet dhe mënyra se si është arritur të pastrohet një shumë kaq e madhe parash në Shqipëri dhe duke hyrë në llogaritë bankare të personave të arrestuar.
Bëhet fjalë për pastrim parash në biznesin e naftës, Rezart Taçi ka qenë një nga personat kryesorë të tregtimit të naftës në Shqipëri.
Rezart Taçi nuk përfaqëson vetëm tregtimin e naftës në Shqipëri, por edhe krijimin e një sërë biznesesh të tjera. Shumica e këtyre bizneseve kanë falimentuar dhe Taçi.
Transaksionet bankare
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera, njofton SPAK.
Taçi: Po persekutohem, nuk jam bashkëpunëtor i mafias
I shpallur në kërkim nga SPAK si i përfshirë në grupin e strukturuar kriminal të Francesko Zumos, Rezart Taçi, në një intervistë telefonike për Tv Klan shfaqet i habitur me këtë akuzë, për të cilën thotë se është informuar vetëm nëpërmjet mediave dhe jo në rrugë institucionale.
“Sapo u informova nga media, nga SPAK nuk kam asnjë informacion. As nga avokatët e mi nuk kam asnjë informacion”.
Taçi shpjegon se nuk ka asnjë lidhje me sipërmarrësin italian Zumo, por është kontaktuar nga një përfaqësues i tij, me të cilin po ashtu nuk kishte asnjë lidhje të mëparshme, për ta ndihmuar për hapjen e një llogarie në bankat e nivelit të dytë në Tiranë, pa ju sugjeruar siç thotë asnjë emër.
“Fabio Petruccela, ekonomisti i këtij zotërisë, s’e njihja, më kontaktoi. Duke ditur që kam njohje të ndryshme, miqësi të ndryshme prej shumë vitesh me Italinë dhe më është kërkuar a ka në Shqipëri mundësi të hapim një llogari bankare. I thashë kam shumë vite i shkëputur nga Shqipëria, nuk kam ndonjë njohje. Jo, nuk kam sugjeruar fare. I kam thënë shko në Shqipëri, të gjithë bankat e nivelit të dytë operojnë në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar, respektoni ligjet e shtetit shqiptar. Vetëm kaq, e ku është këtu grupi i strukturuar kriminal”.
Taçi shprehet i gatshëm të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me akuzat.
“Jo ndodhem jashtë Shqipërisë. Absolutisht do të vij në Shqipëri të përballem”.
Biznesmeni i cili dhe më parë ka pasur akuza të ndryshme nga organet e drejtësisë, të fundit për evazion fiskal, mendon se ka një inskenim me prapavijë politiko-ekonomike për ta dëmtuar, që po funksionon sipas tij dhe për akuzën e fundit të SPAK-ut.
“Ky persekutim vazhdon. Të lëshosh një urdhër arresti ndërkombëtar, apo qoftë kombëtar për një person që është kontaktuar nga një profesionist dhe ky profesionisti i kërkon një favor të hapesh një llogari dhe unë të njollosem, vazhdoj të njollosem si bashkëpunëtor i mafias, si grup i strukturuar kriminal ky është kulmi. Jam pa fjalë”.