Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se Sali Berisha po hakmerret ndaj tij pas vendimit për pezullimin e tij nga grupi parlamentare, ndërsa shtoi se ish-kryeministri po përdor këtë parti për t’u mbrojtur nga SHBA-të.
Në një intervistë për ‘News24’ lideri demokrat tha se askush nuk mund të fshihet pas PD-së dhe të dëmtojë këtë parti për interesa personale.
Ju para dy muajsh vendosët që ta pezullonit z.Berisha nga grupi parlamentar i PD pas kërkesës nga SHBA dhe vendimit të sekretarit Blinken për ta shpallur atë non grata. Me këtë fushatë dy mujore të z.Berisha kundër jush dhe paralajmërimeve të tij për të mbledhur Kuvendin e për të kandiduar për kreun e PD, a mendoni se është i mjaftueshëm akti juaj i pezullimit?
Basha: E kam shpjeguar qartë kontekstin e pezullimet të Berishës nga grupi parlamentar. Me atë që ka bërë këto dy muaj ka treguar qartë se atë që e ka nisur si lëvizje për gjoja demokraci, e ka sebep. Hakmarrje ndaj meje, mund ta them me gojën plotë. Ai se ka luftën me mua as për demokracinë e brendshme të PD, por me SHBA-të. Vendimi ka ardhur nga SHBA-të, të cilët e kanë përcaktuar si non-grata, të padëshirueshëm politikisht. PD nuk mund të jetë dhe nuk mund të funksionojë si mburojë për një person të shpallur non-grata, secildo qoftë ai. Askush s’mund të marrë dhe të kthejë PD si një bunker për interesat e veta. Ky është qëndrimi statutor i PD. Kjo ka qenë edhe kur Berisha ishte kryetar i PD. Nuk është detyrimi im si kryetar i zgjedhur me ‘një anëtar, një votë’. Ky është detyrim i çdo demokrati që mos të lejojë që PD të përdoret si mburojë për të cilit të fshihet kush është shpallur non-grata. Ai po përdor PD, ose një pjesë të saj si mburojë ndaj SHBA-ve. Unë dua t’jua them fare qartë se do të merret çdo vendim që është i nevojshëm që PD mos të kthehet në një bunker të interesave personale as të Berishës, as dikujt tjetër. Por do të vazhdojë të jetë alternativa e vetme e shqiptarëve ndaj këtij regjimi dhe pro SHBA-ve.
Gjatë intervistës, Basha ndau edhe një bisedë me një demokrat të vjetër, kur thotë se që ta njohësh Sali Berishën duhet ta kesh atë përballë.
Prej 9 shtatorit, kur ju keni ndërmarrë aktin e pezullimit të ish-kryetarit Berisha nga Grupi parlamentar i PD, ju keni bërë komente të shkurtra ose nënvizime, por nuk keni bërë një kundërfushatë ose nuk i jeni përgjigjur fushatës së foltores. Pse keni zgjedhur këtë strategji? A ju shqetësojnë përmasat e procesit politik “foltorja” në cdo nivel, duke filluar nga anëtarë të grupit tuaj parlamentar, disa prej figurave historike të partisë dhe ish-drejtues lokalë në rrethe?
Basha: A jam unë i shqetësuar, për PD? Jam shumë i shqetësuar për PD. Jam shumë i shqetësuar për demokratët dhe koha do ta provojë se pse aktet dhe veprimet e mia përfshi qëndrimet e mia të këtyre dy muajve kanë qenë pikërisht për interesin më të mirë të demokratëve dhe të PD. Më kanë akuzuar dhe vijojnë të më akuzojnë se një nga të metat e mia qenka se jam shumë i arsyeshëm. Sigurisht jam shumë i arsyeshëm. Foltorja i është mbivendosur aksionit më të madh politik që ka ndërmarrë PD, për çlirimin e zgjedhjeve dhe për dhënien fund mosndëshkueshmërisë të korrupsionit dhe të lidhjeve të politikanëve me krimin, në formën e ndryshimeve kushtetuese dhe të aksionit opozitar në parlament dhe mos harroni në përballjen e përditshme me Edi Ramën.
Ky është prioriteti kryesor i PD i demokratëve dhe i imi si kryetar i saj. Sigurisht që ka bërë edhe një zgjedhje për të mos hapur një front të dytë me luftën brenda llojit siç bëri Berisha, për të mos çuar një rrëke tjetër uji në mullirin e Edi Ramës, siç po bën Sali Berisha. Nuk mund mos ta them që ka patur edhe një arsye vetjake. Unë kam patur një marrëdhënie të ngushtë me Sali Berishën dhe duhet ta them se jam stepur nga sulmet e pacipta nga spekulimet e gënjeshtrat që ka hedhur. Por siç më ka thënë një demokrat i vjetër, që ta njohësh plotësisht Sali Berishën duhet ta kesh përballë, dhe unë kam patur një fasho para syve. Sot nuk e kam më. Sa i përket foltores. Ka rrëke të ndryshme njerëzish. Ka demokratë që shkojnë të dëgjojnë, ka të pakënaqur me mua, kundërshtarë të mi brenda PD, i respektoj të gjithë, por ka një shumicë përfituesish njerëzish që prej 8 vitesh qeverisjes së PD kanë shkelur dhe abuzuar me sakrificat e demokratëve dhe tani shkojnë me lugë në brez dhe përsëri mbi sakrificat e demokratëve të majmen, të pasurohen të abuzojnë me pushtetin pa asnjë përfillje për interesa të tyre dhe dua t’ju them se koha e tyre ka mbaruar.