Bota Përfundon samiti për klimën: Të reduktohet përdorimi i qymyrit

Përfundon samiti për klimën: Të reduktohet përdorimi i qymyrit

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike në Glasgou përfundoi pas dy javësh diskutimesh, por a do të shpëtoje planeti ynë? Negociatorët ranë dakord për një pakt të ri global për të përmirësuar sa më shumë klimën.

Gati 200 vende pjesëmarrëse miratuan Paktin e Glasgout, i cili është marrëveshja e parë klimatike që planifikon reduktimin e qymyrit burimin kryesor të emetimeve të dioksidit të karbonit në procesin e prodhimit të energjisë elektrike.

Shumë shtete ishullore, duke përfshirë përfaqësuesin e ishujve Fixhi, kanë kritikuar ndryshimin e propozuar të minutës së fundit për t’u bërë thirrje palëve të “ulin gradualisht” dhe jo “të heqin gradualisht” qymyrin.

Por, kjo është përmendja e parë e qartë zyrtare për lëndët djegëse fosile në një marrëveshje të OKB-së për klimën.

Teksti përfundimtar kërkon gjithashtu heqjen graduale të subvencioneve joefikase të karburanteve fosile dhe që kombet të forcojnë objektivat e tyre për uljen e emetimeve për vitin 2030 deri në fund të vitit të ardhshëm në një përpjekje për të kufizuar ngrohjen e rrezikshme.

Vendet dhe organizatat kanë premtuar më shumë para për vendet në zhvillim në mënyrë që ato të përshtaten me ndikimet klimatike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha pas arritjes së marrëveshjes se bota është ende afër “katastrofës”.

Gjatë COP26, më shumë se 100 vende kanë premtuar t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030.

Të shumtë ishin edhe aktivistët, të cilët çdo ditë protestuan në Glasgou duke kërkuar më shumë aksione për të ndalur degradimin e planetit.

Edhe pas samitit reagimet e aktivistëve ishin të shumta, të cilët i cilësuan akordet  e arritura vetëm fjalë. Qyteti egjiptian i Sharm El Sheikh do të jetë mikpritës i COP27 në 2022.