Bota Zgjedhjet në Bullgari i fiton një parti surprizë kundër korrupsionit

Zgjedhjet në Bullgari i fiton një parti surprizë kundër korrupsionit

Një parti e re kundër korrupsionit ishte surpriza në Bullgari, e cila në zgjedhjet e treta për këtë vit arriti të fitojë më shumë zemrën e mendjen e qytetarëve bullgarë.

“Ne vazhdojmë ndryshimin” është partia e cila drejtohet nga dy ish-biznesmenë të shkolluar në Harvard, Kiril Petkov dhe Assen Vassilev.

Kjo forcë politike centriste e krijuar vetëm pak muaj më parë del në krye në zgjedhjet e së dielës duke mposhtur ngushtë partinë konservatore. Por bisedimet për koalicion qeverisës do të vijojnë

Kiril Petkov (majtas) and Asen Vasilev

“Faleminderit që na besuat. Ne do të vendosim zemrën dhe shpirtin tonë për të nisur me Bullgarinë në këtë rrugë të re dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që vendi ynë të ketë një qeveri të rregullt, një qeveri koalicioni. Ka kaq shumë probleme që duhet t’i zgjidhim dhe jemi të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi”, u shpreh Kiril Petkov, bashkëthemelues i partisë “Ne vazhdojmë ndryshimin”.

Tre herë ish-kryeministër Bojko Borisov dhe partia e tij e qendrës së djathtë Gerb, duket se kanë vuajtur nga skandalet e panumërta të korrupsionit që karakterizuan 10 vitet e tyre të pushtetit.

Të dielën u zhvilluan njëkohësisht edhe zgjedhjet presidenciale. Presidenti aktual Rumen Radev, i cili ka tërhequr vëmendjen për aksione vendimtare, veçanërisht kundër korrupsionit, ka fituar raundin e parë edhe pse një balotazh ka të ngjarë të jetë i nevojshëm më 21 nëntor për të konfirmuar rizgjedhjen e tij.

Me bisedimet e koalicionit që do të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, votuesit bullgarë e shohin menaxhimin e pandemisë përparësi për qeverinë e re.

Shteti më i varfër i BE është duke u përballur me një situatë të rëndë nga COVID-19. Me 6.7 milionë qytetarë me të drejtë vote, pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte e ulët me afro 26% deri në orën 16:00.

Javë bisedimesh për koalicion qeverisës do të mbizotërojë sfondin politik në vend e nëse dështojnë atëherë Bullgaria do të shkojë sërish në zgjedhjet që do të ishin të katërtat brenda një viti.