“Kur kosovarët kanë luajtur futboll, kuqezinjtë shihnin peshqit me dylbi”. Ishte kjo frazë e komentatorit sportiv, Andin Lokaj të Radiotelevizionit Publik të Kosovës që ka shkaktuar mjaft reagime në Tiranë dhe Prishtinë.
Komentatori i njohur e bëri deklaratën gjatë ndeshjes së Shpresave mes Kosovës dhe Shqipërisë të fituar nga dardanët me përmbysje 2-1. Për shkak të reagimeve të shumta, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati njoftoi se ka nisur një procedurë disiplinore ndaj Lokajt.
“Lidhur me rastin e deklarimeve publike të komentatorit Andin Lokaj, RTK njofton se do të veprojë në përputhje me Standardet Profesionale të RTK-se dhe Rregullores për Përgjegjësitë materiale dhe disiplinore. Ju bej me dije se tani kanë filluar procedurat në lidhje me këtë rast”, – shkroi ai në Facebook.
Grupi i tifozëve ultras të Prishtinës dhe Kombëtares shqiptare “Plisat” e shpallën Lokajn person të padëshirueshëm në kryeqytetin kosovar. Ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana e quajti “palaço” Lokajn në një reagim të bërë përmes Instagram.