Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg në mungesë për Klodian Çalamanin. 38-vjeçari nuk u dërgua në gjykatë për shkak të situatës së tensionuar me familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiu.
38-vjeçari Çalamani ndodhet në burgun e Fierit dhe nuk shkoi në Gjykatë. Ai pranoi që të mos paraqitej në sallën e gjyqit.
Çalamanit iu mor një deklaratë në burgun e Fierit ku vetë ai shprehte dëshirën të mos jetë i pranishëm. Prokurori Çlirim Sino kërkoi masën arrest në burg për Çalamanin, ndërsa gjyqtarja Sonila Hoxha pranoi këtë kërkesë.
Familjarët e viktimës hynë sot me forcë në ambientet e gjykatës për të kërkuar autorin e këtij krimi të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.
Familjarët e Mateos 8-vjeçar kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje për vrasësin e djalit të tyre, Klodian Çalamanin.
Ndërsa nëna e Mateos që u vra në mënyrë makabre nga Klodian Çalamani ka kërkuar që vrasësi të varet dhe ta shikojë e gjithë bota.
E revoltuar dhe me dhimbje, në ambientet e gjykatës ajo ka kërkuar dënimin maksimal për monstrën Çalamani.
“Vetëm varje për atë monstër. Vetëm varje. Më mes të Fierit ta varin, se vrau një 8-vjeçar. Drejtësi për Mateon. Një fëmijë 8-vjeçar u nda nga shoqëria nga shkolla. Të varet ta shikojë e gjithë bota”, ka thënë e dëshpëruar nëna dhe familjarët e Mateos.