Politika “Nuk ka gjasa të hiqet para 14 dhjetorit”, vetoja bullgare penalizon Shqipërinë

“Nuk ka gjasa të hiqet para 14 dhjetorit”, vetoja bullgare penalizon Shqipërinë

Shqipërisë do t’i duhet të presë përtej datës 14 dhjetor për zhbllokimin e procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në, pasi vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut nuk pritet të hiqet përpara kësaj date.

Të paktën kështu ka lënë të kuptohet ligjvënësi bullgar Daniel Lohrer, nga radhët e partisë “Ne vazhdojmë ndryshimin”, i cili ka shanse të jetë ministri i Jashtëm i qeverisë së re që do të krijohet pas zgjedhjeve të së dielës.

Dallimet për gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, si dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut kanë çuar në vendosjen e vetos nga Sofja zyrtare ndaj Shkupit.

Për Lohrer, nëse mbetet vetëm historia për të zhbllokuar negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, atëherë nuk mund të pritet një rezultat i përshtatshëm për të dyja palët.

“Rruga, jo vetëm e Maqedonisë së Veriut, por edhe e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit është në BE dhe Bullgaria dëshiron që kur Maqedonia e Veriut të hyjë në këtë proces, kjo të ndodhë pa shkelur të drejtat e bullgarëve që jetojnë në këtë vend”, u shpreh ligjvënësi bullgar Daniel Lohrer.

Megjithatë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar se Shkupi vazhdon të jetë optimist se deri në dhjetor dy vendet mund të arrijnë progres të mjaftueshëm në negociatat për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.