Kyle Rittenhouse u lirua nga të gjitha akuzat pasi deklaroi se po vetëmbrohej kur qëlloi me armë gjatë trazirave në Kenosha, të Uiskonsënit, duke u bërë gjyqin kundër tij një pikë të nxehtë në debatin e vendit mbi armët, vigjilencën dhe padrejtësinë racore.
Rittenhouse u mbrojt duke thënë se i kishte vrarë ata dy persona për vetëmbrojtje. “Nuk kam bërë asgjë të keqe. Vetëm sa mbrojta veten”, tha Rittenhous
Juria e mori vendimin e saj pas afërsisht 3 ditë e gjysmë shqyrtimi. Rittenhouse, 18 vjeç, mund të dënohej me burgim të përjetshëm nëse shpallej fajtor për akuzën më të rëndë kundër tij.
Ai u akuzua për vrasje, tentativë vrasjeje dhe rrezikim të sigurisë për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një të treti me një armë gjysmë automatike të stilit AR.
Adoleshenti, i cili në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç, mori një pushkë AR-15 dhe iu bashkua një grupi personash të armatosur në Kenosha, në 25 gusht 2020. Aty, Rittenhouse qëlloi me armë zjarri dhe vrau Joseph Rosenbaum, i cili po e ndiqte atë. Kur turma iu vërsul, Rittenhouse vrau edhe Anthony Huber, i cili e goditi me “skateboard”. Gjithashtu, plagosi edhe Gaige Grosskreutz, i cili ishte i armatosur me një pistoletë.
Të shtënat ndodhën gjatë një nate protestash për dhunën e policisë kundër një afrikano-amerikani në verën e trazuar të vitit 2020. Rittenhouse është i bardhë, ashtu sikurse dhe viktimat e tij. Edhe juria ishte në pjesën dërrmuese me anëtarë të bardhë.
Ndërsa liroi anëtarët e jurisë, gjykatësi i qarkut Bruce Schroeder i siguroi ata se gjykata do të merrte “çdo masë” për t’i mbajtur të sigurt.
Në reagim ndaj vendimit, prokurori Thomas Binger tha se juria kishte dhënë vendimin përfundimtar.
E ëma e Rittenhouse-it, e ulur disa metra larg tij në një stol në sallën e gjyqit, gulçoi nga kënaqësia dhe filloi të qante, ndërsa nëpunësi lexonte pafajësinë për pesë akuzat, duke përqafuar të tjerët rreth saj.
Guvernatori i Uiskonsënit, Mandela Barnes, i cili është afrikano-amerikan dhe një kandidat demokrat për senatin amerikan, e kritikoi vendimin e pafajësisë.
Ndërkohë, figurat politike të djathta e përshëndetën vendimin dhe dënuan çështjen e ngritur kundër Rittenhouse.
“Të gjithë ne që e dinim se çfarë ndodhi në të vërtetë në Kenosha vitin e kaluar prisnim që ky do të ishte vendimi,” shkroi në Twitter ish-guvernatori republikan i këtij shteti Scott Walker. “Fatmirësisht, juria mendoi të njëjtën gjë.”