Virgjil Muçi është autori i vitit, i shpallur nga Panairi i Librit në edicionin e tij të 24-të, që po mbahet që prej 4 ditësh në kryeqytet, në formën tradicionale të tij me prani fizike të autorëve dhe lexuesve.
Shkrimtari Virgjil Muçi rrëmbeu çmimin e autorit më të mirë me tregimet “Fajin ma ka gjuha” nga botimet “Aeditions”.
Juria e panairit e përbërë nga Anila Mullahi (kryetare), Enkel Demi, Albana Nexhipi, Aida Tuci dhe Xhimi Lazri nga librat e botuar nga mesi i nëntorit të vitit 2020 e deri tani, vlerësuan edhe përkthimin më të mirë të vitit, studimit më të mirë.
Çmimi “Përkthimi më i mirë” i shkoi Flavia Kabës për veprën me tregime të Carlos Ruiz Zafon “Qyteti i avullit”. Ndërkohë, studiuesi Uran Butka u vlerësua me çmimin “Studimi më i mirë” me vëllimin e gjashtë të Mithat Frashërit.
Po sot u bë publik edhe çmimi që jep Ambasada franceze për përkthimet nga gjuha frënge.
Ambasada franceze për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja, vlerësoi me çmim Mirela Kumbaron për përkthimin e “Ngadalësisë” nga Milan Kundera.
Çmimet e këtij viti u dhanë me anë të një ceremonie të mbajtur në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, ku i pranishëm ishte dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Për të dytin vit radhazi, Bashkia e Tiranës është mbështetëse e panairit të librit.
Kryetarja e jurisë, pedagogia Anila Mullahi u shpreh se ka qenë e vështirë përzgjedhja, pasi në panair u paraqitën 114 libra.
Panairi i këtij viti erdhi nën masat anticovid, ku ndryshe nga vitet e shkuara orari ishte më i reduktuar dhe stendat ishin më të rrudhura qoftë në hollin kryesor qoftë në ballkonadë, në mënyrë që korridoret të ishin më të lira e më të bollshme për të lëvizur njerëzit.