Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë të shtunë një takim me demokratë të Krujës. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se rreth 2/3 e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Krujës kanë firmosur formularin me kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD, ndërsa të tjerë vazhdojnë të firmosin.
“Të dashur miq, sot në Kruje u takuam për një kafe dhe bisedë të përzemërt me demokratë dhe demokrate të Krujës drejtues të degës veprimtarë të shquar, themelues të Partisë Demokratike, deputeten e PD Zj Merita Bakiu, ish-deputetë dhe ish-drejtues të qeverisë vendore, bashkisë dhe rrethit, Sulejman Xhixha, Ylli Lamaj, Shkëlzen Hoxha drejtues të FRPD dhe LDG. Në takim u diskutua mbi krizën që po kalon Partia Demokratike si dhe u shpreh mbështetje e fortë për Foltoren, moton e saj për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur. Rreth 2/3 e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Krujës kanë firmosur formularin me kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, të tjerë vazhdojnë të firmosin. Mirënjohje të thellë për demokratet dhe demokratët krutanë! Rroftë Kruja”.