Aktualitet Familjarët e Mateos protestë para burgut të Vlorës

Familjarët e Mateos protestë para burgut të Vlorës

Familjarët e të miturit Mateo Vasiu, të vrarë nga fqinji në Fier kanë protestuar mëngjesin e së dielës në ambientet e paraburgimit të qytetit të Vlorës, aty ku po mbahet dhe autori i këtij krimi të rëndë Klodian Çalamani.

Protestës i janë bashkuar dhe qytetarë të Vlorës, të cilët me pankarta në duar kanë kërkuar drejtësi për 8-vjeçarin e vrarë barbarisht në fillim të javës.

Familjarët kanë tentuar të hyjnë forcërisht në ambientet e paraburgimit, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë, të cilët më pas janë munduar që t’i qetësojnë dhe t’i largojnë prej aty.

Më pas, familjarët dhe qytetarët që iu bashkuan kësaj protesta kanë marshuar në drejtim të qytetit të Vlorës, për nënshkrimin e peticionit që tashmë po nënshkruhet dhe në shumë qytete të tjera, me anë të të cilit kërkohet dënimi me vdekje i autorit.

Një situatë më e rënduar u paraqit të enjten në gjykatën e Fierit, ku familjarët e Mateos hynë me forca në ambientet e saj, ku pritej të jepej masa e sigurisë për Klodian Çalamani.

Për këtë arsye, autori i krimit u transferua në Vlorë, ku po mbahet në izolim për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme me të dënuarit e tjerë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 nëntor, në fshatin Grecalli të Fierit, ku 38-vjeçari Klodian Çalamani rrëmbeu dhe vrau 8-vjeçarin dhe më pas tentoi t’i fshihte trupin në oborrin e banesës së tij.