Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron kriminale përdorjen e PD nga ish-kryeministri Sali Berisha për interesat personale, duke e kthyer në mburojë përballë SHBA-së.
Gjatë një interviste për Vizion Plus, kreu i demokratëve u pyet nga gazetarja Olta Blaceri, nëse ka të njëjtin qëndrim me SHBA-në, se ish-lideri historik i të djathtës është i korruptuar. Edhe pse nuk dha një përgjigje direkte, kryedemokrati thotë se Berisha është një politikan që i ka mbaruar koha.
Sipas tij, këtë e ka demonstruar dy muajt e fundit me sulmet dhe akuzat e forta.
Por zoti Basha, a ndani ju të njëjtat qëndrime me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Sali Berisha, një, është i korruptuar, dy është minues i demokracisë?
Lulzim Basha: Unë nuk e kam komentuar dhe nuk e komentoj vendimin e qeverisë amerikane dhe përpjekja për të tërhequr njerëz që kanë sakrifikuar për këtë parti në një betejë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e pafalshme, madje do të thoja kriminale. Sepse është një betejë që çon në dobësimin dhe asgjësimin e Partisë Demokratike si e vetmja alternativë, si e vetmja shpresë për ta nxjerr Shqipërinë nga kjo gjendje.
Por a është Sali Berisha një politikan i korruptuar zoti Basha?
Lulzim Basha: Sali Berisha ka demonstruar dy muajt e fundit se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe. Është jashtë kohe me mënyrën se si është sjell.