Ndihmëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Sexhio Porrini, ka folur së fundi në shtypin italian për ecurinë e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit, duke vlerësuar vendin e tretë në grup.
“Kur u hodh shorti, e konsideruam një grup shumë të vështirë, nga më të këqijtë e mundshëm. Luajtëm shanset tona deri në fund dhe humbëm mundësinë për ‘play-off’-in në ndeshjen me Poloninë në shtëpi. Kjo na mbetet peng. Po shkonim përtej parashikimit më optimist, ishim gati duke i dhuruar një ëndërr Shqipërisë, vetes dhe lojtarëve. Duhet të jemi krenarë për përmirësimin që ka bërë skuadra dhe shpresat që ka. Ne vazhdojmë të ndjekim lojtarë të rinj”, – ka thënë Porrini për “Tuttomercatoweb”.
Numri 2 i stolit kuqezi ka folur pastaj më specifikisht për sulmuesin Armando Broja: “Emri i tij qarkullon kudo, pasi ka shënuar gola të mëdhenj. Është një sulmues që ka karakteristikë shpejtësinë në lojën një kundër një dhe e njeh mirë portën.
Duhet të piqet dhe të punojë me më shumë profesionalizëm, të mendojë se ende nuk ka arritur asgjë. Sigurisht, ka nevojë për kohë dhe ne punojmë për të dhe me të, që Broja të bëhet një lloj i veçantë lojtari e të mos humbë gjatë rrugës”.