Leo Messi ka mirëpritur gazetarët e spanjolles “Marca” në shtëpinë e tij të re në Paris, me rastin e të tetit “Pichichi” (Këpuca e Artë) që arriti sezonin e kaluar me Barcelonën. Ai duket i lumtur dhe tashmë i përshtatur me jetën e re. E ka kthyer faqen dhe tashmë është i fokusuar në arritjen e objektivave me ekipin parizien. Një PSG që e sheh si favorite për të fituar Ligën e Kampionëve, edhe pse e pranon se kanë shumë punë përpara. Si një mik i tij i mirë, ai i uron Xavit suksese në fazën e re si trajner i Barcelonës. Ai është i bindur se Barça do të rritet me të.
U larguat nga La Liga, por duke lënë rekorde që mund të mos arrihen më kurrë…
Sot, duke qenë në Paris, nuk iu jap vlerën që kanë realisht. Ne luajmë një ndeshje çdo tri ditë dhe nuk kemi kohë të mendojmë për këtë. Njëri fokusohet në përballjen që po vjen dhe në arritjen e sfidave dhe objektivave që i kemi vënë vetes. Nesër, në pension, kur të filloj të shoh të gjitha rekordet që pata fatin t’i arrij, atëherë do t’iu jap vlerën që kanë realisht.
Jeta juaj e re në Paris…
Jemi përshtatur tashmë, kemi një shtëpi, shkolla e fëmijëve është zgjidhur. Dalim me Antonelën për darkë, edhe ajo po ambientohet. Tani jam shumë mirë. Jam përshtatur plotësisht pasi hymë në shtëpinë tonë të re dhe fëmijët filluan shkollën e rutinën e tyre të përditshme. M’u desh të bëja edhe shumë udhëtime në Argjentinë për kualifikueset e Botërorit.
Si ndihen fëmijët tuaj, a kanë filluar me frëngjishten?
Ishte shumë më e lehtë nga sa e imagjinonim në fillim. E kishim menduar shumë dhe sa e vështirë do të ishte për ta. Në fund ishin ata që u përshtatën më shpejt. Ata tashmë shkojnë në shkollë dhe me siguri do të mësojnë shumë shpejt frëngjisht, sepse kur vjen puna për të mësuar, fëmijët fluturojnë. E gjithë kjo na ka dhënë një qetësi të madhe shpirtërore, si për Antonelën, ashtu edhe për mua. Kemi parë që shumë shpejt janë përshtatur me qytetin dhe vendin e ri.
Me ju, Mbappé dhe Neymar, si dhe shumë të tjerë, a mund të mendohet se PSG nuk është favoritja e madhe për të fituar Champions League?
Të gjithë thonë se jemi favoritët e mëdhenj dhe nuk e mohoj që jemi një nga kandidatët me emër, por gjithsesi na duhen gjëra për të qenë një ekip vërtet i fortë. Duhet të përfundojmë konsolidimin si skuadër. Kemi avantazhin e lojtarëve shumë të mirë për ta arritur atë. Sidoqoftë, nuk jemi vetëm ne, ka skuadra të tjera të mëdha që janë kandidate. Liga e Kampionëve është një kompeticion shumë i vështirë, që e bën atë kaq të bukur dhe të veçantë. Skuadrat më të mira janë atje dhe po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Po, jemi një nga të preferuarit, por jo të vetmit.
Cilat skuadra mendoni se janë kandidate për Champions League?
Sot, Liverpool është shumë mirë, është rikthyer në nivelin e vetvetes kur fitoi Champions League. Më pas janë Manchester City, Bayern Munich, Real dhe Atlético Madrid… Ka shumë skuadra që mund të luftojnë për këtë edicion të Ligës së Kampionëve, i cili është një nga më të barabartët dhe konkurruesit e viteve të fundit.
A iu jep ndonjë shans skuadrave spanjolle?
Real Madridi është gjithmonë konkurrues. E njëjta gjë ndodh me Atléticon dhe të dy do të jenë atje duke luftuar. Janë dy rivalë shumë të vështirë në përballje direkte me dy ndeshje. E njohin shumë mirë konkurrencën dhe mënyrën se si duhet luajtur, prandaj janë padyshim dy nga favoritët. Barcelona po kalon një fazë rindërtimi me një ekip në të cilin ka shumë lojtarë të rinj. Sot mendoj se ka skuadra më të mira se Barcelona, por, megjithëse tani ata japin këtë përshtypje, kjo nuk do të thotë se më vonë nuk do të mund të luftojnë, sepse duhet të kemi parasysh ardhjen e Xavi, rikuperimin e disa lojtarëve. Katalanasit mund të vazhdojnë të rriten dhe të luftojnë. Sevilla tani ka një situatë të vështirë në grupin e saj, por ka ende opsione për të kaluar dhe është një ekip konkurrues. Të gjitha skuadrat spanjolle e kanë treguar gjatë viteve të fundit në Evropë, si në Champions League ashtu edhe në Europa League se sa vlejnë.
Çfarë mund t’i japë Xavi Barcelonës?
Mund të kontribuojë shumë. Ai është një trajner që di shumë, e njeh klubin në mënyrë perfekte, ka jetuar në Barcelonë që kur ishte fëmijë. Ai ka rinovuar iluzionin te Barcelona, sepse është një person shumë i respektuar nga tifozët dhe nga lojtarët. Xavi do të jetë një trajner shumë i rëndësishëm për futbollistët më të rinj, sepse do t’i mësojë ata. Me të skuadra do të rritet shumë. Unë nuk kam asnjë dyshim.
Xavi tha se i kishit dërguar një mesazh kur nënshkroi…
Unë flas shpesh me Xavi. Jemi miq, kemi ndarë shumë gjëra. Që nga largimi i tij kemi mbajtur kontakte. Nuk më kujtohet se çfarë i kam thënë në mesazh, e përgëzova për këtë hap të ri dhe i uroj suksese. Sigurisht që do të bëjë shumë mirë, sepse di shumë, është punëtor dhe e njeh mirë klubin.
A ju ka befasuar rikthimi i Alves? Çfarë mendoni se mund të kontribuojë?
E vërteta është se rikthimi i tij më befasoi, sidomos për momentin. Mendoj se mund të jetë një përforcim i mirë, ashtu si në rastin e Xavit mund të jetë i rëndësishëm për të rinjtë. Ai do t’i ndihmojë ata të rriten, sepse është një person fitues dhe transmeton shumë optimizëm. Do ta bëjë me të rinjtë, si në lojëra, ashtu edhe në stërvitje. Dani do të kontribuojë shumë jashtë fushës me punën e përditshme, përkushtimin dhe dëshirën që ka gjithmonë për të fituar.
Barcelona është larg majës dhe në rrezik serioz për të mbetur jashtë 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Çfarë mendoni ju? Të trishton kjo situatë?
Po, padyshim. Unë gjithmonë dua më të mirën për Barcelonën. Jam tifoz i saj, edhe pse nuk jam duke luajtur atje tani. Kam kolegë dhe miq atje brenda ekipit. Unë dua që Barça të bëjë mirë. Nuk kam asnjë dyshim që Barcelona do të kthehet dhe do të ngjitet.
Duke folur për yjet, a e shihni Mbappe te Real Madridi sezonin e ardhshëm?
E vërteta është se nuk e di. Vetëm ai e di se çfarë ka në kokë dhe çfarë do të bëjë. Mund të them vetëm se jam i lumtur që ka qëndruar këtu këtë sezon. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe për objektivat që kemi. E shoh 100 për qind të fokusuar te PSG. Pastaj ai do të vendosë se çfarë do të bëjë kur të përfundojë sezoni. E vërteta është se nuk e di se çfarë do të ndodhë.
A flet mirë spanjisht?
Ai e flet spanjishten në mënyrë perfekte. Sidoqoftë, Mbappe flet shumë mirë disa gjuhë: spanjisht, anglisht, padyshim frëngjisht…
Si është dhoma e zhveshjes së PSG-së? Njerëzit thonë se kaq shumë figura nuk mund të jetojnë së bashku…
Unë kam qenë me fat që mbërrita në një dhomë zhveshjeje me lojtarë dhe njerëz shumë të mirë. Kjo është më e rëndësishmja. Përshtatja ime ka qenë shumë e shpejtë. Është e vërtetë që në fillim ishte shumë e çuditshme. Nga njëra anë është vështirësia për të kaluar në një klub të ri pas kaq shumë vitesh në të njëjtin vend, por nga ana tjetër ishte shumë e lehtë, sepse njihja shumë lojtarë dhe flitej shumë spanjisht. Është një dhomë zhveshjeje shumë e lidhur, mund t’ua konfirmoj duke qenë vetë brenda.
Çfarë mendoni për performancën e CR7?
Manchester United është një skuadër shumë e fortë, me lojtarë të mrekullueshëm. Cristiano e njihte tashmë klubin, por kjo ishte një fazë tjetër. Edhe tani është përshtatur në mënyrë mbresëlënëse. Që në fillim ka shënuar gola si gjithmonë dhe nuk ka pasur probleme me përshtatjen. Në Premier League nuk është aq mirë sa mendonim të gjithë, por është një kompeticion shumë i vështirë dhe i barabartë, në të cilin gjërat marrin shumë kthesa. Pas dhjetorit ndryshon shumë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Më thuaj të drejtën, a të mungojnë ato duelet direkte me portugezin?
Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kemi pushuar së konkurruari në të njëjtën ligë. Ne garuam individualisht dhe si ekipe, për të njëjtat qëllime. Ishte një skenë shumë e bukur për ne, gjithashtu edhe për njerëzit, sepse e shijuan shumë. Është një kujtim i bukur që do të mbetet në historinë e futbollit.