Zlatan Ibrahimovic ka dhënë një intervistë interesante për The Guardian.
Sulmuesi i Milanit e nisi bisedën duke folur për statusin e tij si burrë dhe si futbollist.
“Të jesh unë nuk është e lehtë. Çdo ditë zgjohem, kam dhimbje kudo. Këtë mëngjes kam pasur dhimbje kudo, por për sa kohë kam synime, për sa kohë që kam adrenalinën, vazhdoj.
E di që po shkoj te diçka e mirë. Një vend ku më duhet të punoj për të mbajtur veten në majë! Do të vazhdoj ta bëj për aq kohë sa të mundem. Nuk dua të kem atë keqardhje nëse ndaloj dhe më pas, pas disa vitesh, do të ulem me ju dhe do t’ju them: mund të kisha vazhduar sepse u ndjeva mirë!
Më mirë të mbaroj plotësisht dhe të them, “Nuk mund ta duroj më dhimbjen”. Por ende mund ta bëj dhe po e bëj. Nuk ka të bëjë me kontrata apo të jem i famshëm. Nuk kam nevojë. Më mban adrenalina sepse çdo mëngjes kam dhimbje kudo.
Por të kesh disa ndjekës më shumë nuk do të të shërojë. Të marrësh më shumë para nuk do të shërojë. Të marrësh vëmendjen nuk do të të shërojë.
Ajo që do të të shërojë është adrenalina. Unë nuk kam asnjë problem të vuaj. Për mua, vuajtja është si të ha mëngjes.
Por shumë njerëz nuk e kuptojnë atë vuajtje sepse brezi i ri, me gjithë këto platforma, mjafton të bëjë pak për të marrë famë.
Brezi im duhej të bënte shumë për të arritur diçka. Jam shumë krenar që i përkas brezit të vjetër”.
Milan është skuadra me moshën më të re në Ligën e Kampionëve…
“Jam edhe unë… Është e mahnitshme. Më bëjnë të dukem i ri. Ka këtë efekt, si Benjamin Button. Pas gjashtë muajsh këtu do të keni flokë të errët, më besoni. Jam shumë krenar sepse i shoh këta lojtarë të rinj duke marrë më shumë përgjegjësi, duke ndryshuar mentalitetin e tyre.
Kjo është lumturia ime tani. Kjo është adrenalina ime. Unë dal dhe vrapoj po aq sa ata. Unë e bëj këtë prej 20 vitesh. Njerëzit mendojnë, ‘Jo, Ibrahimovic, duhet të ndalosh.’ Mentaliteti im thotë të kundërtën. Unë e bëj sepse kur të rinjtë më shohin duke punuar, thonë: “Pas gjithçkaje që ka bërë, ai ende punon. Unë duhet ta bëj sepse e bëri ai”. Më duhet ta tregoj me shembull”.
Milani po rritet me shpejtësi.
“Unë nuk jam ai qen që leh dhe nuk bën asgjë. Unë jam e kundërta. Kur isha këtu për herë të parë [2010-2012], Milan kishte një ekip me super yje. Tani është plot talente, skuadra më e re në Evropë, por ne jemi në krye. Pra, është një projekt ndryshe dhe është më i kënaqshëm, sepse nëse je i suksesshëm me superyjet, kjo është e pritshme. Kjo nuk është e parashikueshme me të rinj”.