Pika e vaksinimit anti-COVID në sheshin “Skënderbej” do të mbyllet me datë 25 nëntor, njoftoi ministria e Shëndetësisë.
Në një njoftim në mediat sociale, ministrja sqaron se tashmë vaksinimi do të zhvendoset pranë qendrave shëndetësore.
“Shërbimi i vaksinimit pranë pikës së përqendruar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të transferohet pranë qendrave shëndetësore si dhe pikës së vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”.
Duke filluar nga dita e enjte, datë 25 Nëntor, ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve do të jetë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në Stadiumin “Air Albania”, aty ku do të vijojë ÇDO DITË vaksinimi antiCOVID”, njofton ministria.
Më tej sqarohet se të gjithë ata që duan të vaksinohen të kontaktojë me mjekun e familjes.
Vaksinimi kundër COVID-19 është i hapur për fëmijët 12-15 vjeç me imunitet të dobët si dhe për çdo qytetar mbi 16 vjeç.
Aktualisht po kryhet edhe doza e tretë e vaksinës antiCOVID, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.