Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump zbuloi se kishte pritur në rezidencën e tij në Florida, Mar-a-Lago, Kyle Rittenhouse, pas kërkesës së vetë 18-vjeçarit, të shndërruar në adoleshentin më të përfolur në Amerikë në javët e fundit.
Të premten, Rittenhouse u shpall i pafajshëm për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një të treti, gjatë trazirave në Kenosha, Uiskonsin, vitin e kaluar, pasi juria vendosi se si kishte vepruar për vetëmbrojtje. Gjyqi shkaktoi reagime të shumta, pasi incidenti tragjik ndodhi gjatë një proteste të organizuar nga mbështetës të lëvizjes Black Lives Matter. Edhe pse tre personat që Rittenhouse qëlloi ishin të bardhë, ai u etiketua edhe nga Presidenti Joe Biden si supremacist i bardhë, për shkak se kishte shkuar i armatosur në një protestë të Black Lives Matter. Por Rittenhouse tha se kishte dalë në mbrojtje të bizneseve që po plaçkiteshin gjatë asaj nate dhe se kishte qëlluar me armë vetëm pasi ishte sulmuar.
“Më telefonoi dhe donte të dinte nëse mund të vinte”, tha Trump në një intervistë për Fox News të martën. “Ishte një djalë vërtet i këndshëm. Erdhi bashkë me të ëmën”.
Trump tha se Rittenhouse nuk duhet të ishte gjykuar kurrë për ngjarjen, pasi ishte e qartë që kishte vepruar për vetëmbrojtje. “Dërgimi i çështjes në gjyq ishte shkelje nga ana e prokurorit. Do të kishte vdekur po të mos vepronte”.