Manchester City-PSG përfundoi 2-1 për kampionat e Anglisë, të cilët fituan me përmbysje derbin e sheikëve dhe siguruan vendin e parë në grupin A të Champions League. Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa 45 minutat e dyta ishin spektakolare.
Ekipi francez kaloi në avantazh me anë të Kylian Mbappe, por “Cityzens” reaguan dhe siguruan fitoren e madhe falë realizimeve të dy sulmuesve Raheem Sterling dhe Gabriel Jesus.
Ish-kapiteni i famshëm i Juventusit, Alessandro Del Piero, i ftuari i Sky Sport në “Etihad”, analizoi përballjen prestigjioze, duke vlerësuar skuadrën e Pep Guardiolës, teksa nuk i kursen thumbimet ndaj PSG-së.
“Shijuam një ndeshje të bukur, skuadrat na surprizuan me tri gola, duke na dhënë shumë konfirmime por edhe pikëpyetje, sidomos për PSG-në dhe Pochettinon, i cili në një moment të ndeshjes luajti me tre yje përpara: Mbappe, Neymar dhe Di Maria.
Kjo lëvizje i dhuroi shumë hapësira Manchester Cityt. Anglezët, edhe pse pa De Bruyne dhe Grealish, zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer në aspektin e personalitetit dhe e përmbysën me meritë rezultatin.
Këto dy ekipe do të gjejnë sërish përballë njëra-tjetrën, ndërsa ne do të shijojmë spektaklin e tyre. City është e njëjta skuadër që ka qenë gjithmonë, PSG ende nuk është bërë një skuadër totale”, theksoi Del Piero.