Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës ku ka mohuar kategorikisht se Partia Demokratike do të përçahet pas dy Kuvendeve të shpallura dhe më pas do të krijohet një forcë e re politike.
Ai shprehet se Kuvendi i 11 dhjetorit do ta rithemelojë PD dhe do ta shndërrojë atë në një opozitë të vërtetë.
“Kurrë jo. Përkundrazi, rithemelim i Partisë Demokratike, shndërrimi i saj në një opozitë të vërtetë, për të cilën ka nevojë jetike vendi. Gjithë kjo gjë që u bë, ndëshkimi i Sali Berishës tre javë pasi humbi zgjedhjet, nuk kishte qëllim tjetër, vetëm për të ndihmuar Edi Ramën dhe për të shndërruar opozitën në një fasadë opozitë, por kjo dështoi në mënyrë përfundimtare”, u shpreh Berisha.
Gjatë intervistës, Berisha ka dhënë detaje për akuzat e tij të fundit ndaj Bashës, marrëdhëniet me dhe faktit së nëse do të jetë pengesë për të ardhmen e Partisë Demokratike fakti që ai është shpallur “non grata”.
“Kur doli dosja Muzin, miqtë e mi në SHBA, më informuan se kryetari i PD-së mund të ndiqet penalisht për shkelje të rënda ligjore që ka bërë me transfertat e parave në SHBA, tek Nick Muzin. Unë besoja gjithnjë, jo variantin që më serviri miku im, apo dhe që më serviri ambasadori Donald Lu, por atë që më servirte Lulzim Basha, i cili më thoshte se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore.
Së dyti, po këto burime më informojnë se ky i thotë ambasadores, dhe jo vetëm ambasadores, se të gjitha vendimet i merr Sali Berisha, mi dikton Berisha, ndërkohë që ai ju thoshte ju gazetarëve se unë marr çdo vendim vetë. Të njëjtën gjë më informon dhe një burim tjetër brendshëm, shumë i besueshëm që ky deklaron se vendimet nuk janë të miat, në një kohë kur vendimet ishin krejtësisht të tijat”, tha ish-kryeministri, duke vijuar akuza të rënda për dosjen “Toyota Yaris”
“Vijmë të dosja Toyota Yaris. Është pak më ndryshe kjo dosje. Siç e dini ju, në qiell të hapur, ngrihet një ditë në parlament dhe i thotë Taulant Ballës se do të të vijnë ty, me një seri Toyotash 5 milion euro. Janë në adresë tuaj. Kjo ishte e çuditshme. Ishte diçka konkrete. Do vijnë me Toyota Yaris dhe do vijnë 5 milion. Po si mund të thuhet kjo, të premten për të shtunën, kohë kur ata që do vinin mund të devijonin rrugën dhe mund të mos vinin fare. Dhe kjo ishte si të dështoje ardhjen e tyre. Dhe unë e pyes, më thuaj pak, ç’është kjo, kush ta ka thënë ty? A rrezikon kjo që të mos vijnë tani? Se kjo është e dhënë shërbimesh, o shërbimesh kriminale, o shërbimesh inteligjente e të antidrogës. Si qenka kaq e saktë kjo gjë? Më thotë që më mori në telefon një kamerier, nga një restorant i huaj, gjëra të tilla. Po i them ata mund të kthehen e nuk kapen. Është t’i ndihmosh ata. Jo më tha, se ndiqen me GPS. Një “giallo” e vërtetë.
Për çudi, ata nuk e devijuan fare rrugën, ndonëse e morën vesh lajmin, erdhën direkt në Durrës. Jo me 5 milion, por me 3.5 milion. Gjë e cila ishte një habi e madhe, se si ata as i njoftoi kush dhe ata nuk u trembën dhe erdhën drejt e në port. I thashë çfarë ndodhi kështu? Nuk e di tha, por tha erdhën.
Marr vesh që vijnë hetuesit belg. I them, çfarë do u thuash?. Duhet të flasësh, i them unë, se kjo ngre shumë dyshime se mos janë klane rivale që njëri klan të njoftoi ty për të dëmtuar klanin tjetër dhe ti je bërë palë, dashje pa dashje në një intrigë kriminale, ose pastaj ngre dyshime se mos ti ke afera me Taulantin. Jo tha, nuk flas me ta.
Si përfundim kanë çuar 4 ose 5 letër porosi hetuesit belg, dhe zotëria nuk u përgjigjet. Kjo përbën një gjë shumë të rëndë për mua. Dhe thotë tani, ma përmend dhe Rama. Rama ja përmend se e mban peng, se Rama i di të gjitha, se unë kaq di, nuk di më shumë. Por di që ai duhet të zbardhë këtë çështje se nuk e futa unë në këtë çështje, u fut vetë nga detyrime apo qëllime të caktuara”, shprehet Berisha për VOA.