Qarkullimi i qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës do të lehtësohet dhe kontrollet në kufi nuk do të ekzistojnë më, sipas ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Ai sqaroi se kishte rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet.
Sipas Çuçit, diçka e tillë nuk është pjesë e marrëveshjes, por është kërkuar nga kryeministri Rama dhe Kurti në mbledhjen e fundit, andaj nuk do të pritet sezoni i verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve, sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve.
Kamerat do të regjistrojnë automatikisht targat e makinave që kalojnë në kufi pa pasur nevojë që të ndalojnë drejtuesit e mjeteve për kontrolle.
“Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarrë tashmë. Kemi bërë dhe planin e punës për këtë shkak dhe mendoj që do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonit,” – tha Çuçi.
Ministri sqaroi se në ditët me flukse të mëdha, siç është rasti i festave të 28-29 Nëntorit, është dhënë porosi në dy anët e kufirit që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin.
“Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar tashmë një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme,” – përfundoi Çuçi.