Ish-kryeministri Sali Berisha fjalën e tij në Foltoren e Kurbinit, e ka nisur me një homazh për viktimat e tërmetit të dy viteve më parë.
Berisha u shpreh se viktimat në Thumanë dhe Kurbin janë një krim i mirëfilltë shtetëror, pasi siç tha banesat e viktimave ishin shpallur të pabanueshme që nga tërmeti i Shtatorit 2019.
“51 gra, burra, fëmijë, humbën jetën nën rrënojat e këtij tërmeti. Por në Kurbin dhe Thumanë, viktimat siç e dini ju, ishin një krim i mirëfilltë shtetëror, pasi pallatet e viktimave u bënë të pabanueshme nga tërmeti i Shtatorit, por një qeveri e papërgjegjshme, që ka si objekt kryesor, grabitjen dhe pëlcitjen e çdo gjëje.
Edhe pse konstatoi se pallatet ishin të pabanueshme i la banorët e tyre në mëshirë të fatit. Sot për 51 viktima, për shembjen e qindra e qindra ndërtimeve, para ligjit nuk ndodhet asnjë zyrtar, asnjë qeveritar dhe kjo është një krim i dytë i shëmtuar, pas braktisjes së tyre. Për të nderuar kujtimin e tyre ftoj të mbajmë një minutë heshtje”, tha lideri historik i PD.
Berisha: Rama dhe Basha ndajnë 20%
Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur sot se mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës ka një pazar. Për të vërtetuar këtë, Berisha tregoi atë që sipas tij qarkullon nëpër Tiranë, se Basha dhe Rama ndajnë para me njëri-tjetrin.
Më tej tha se Basha nuk mendon për demokratët, por do vetëm pasurimin e tij duke bërë pazare me kreun e qeverisë.
“Në Tiranë qarkullon një fjalë se Edi Rama, atyre që u kërkon 20%, kur raportojnë se e çuan në këtë adresë, u kthehet dhe u thotë, por mua s’më mbetet gjë se 20% detyrohem t’i japë dhe Lulit. E thash këtë fjalë që qarkullon, e cila shpreh pazaret e turpshme që bëri kreu i opozitës, kundër idealeve të pastra tuaja për pasurimin e tij.
Miqtë e mi, këto 8 vite kanë qenë të vështira për ju, pasi kishit nga njëra anë qeverinë, por kishit të paqenë dhe kreun e opozitës, i cili në çdo marrëveshje do të favorizonte qeverinë, do të kalonte nga disfata në disfate, pa u menduar se duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet nga skena politike”, tha Berisha.
Berisha mesazh Ramës: Do pësosh fatin e Fatos Nanos
Nga Foltorja e Kurbinit, Berisha ka paralajmëruar Kryeministrin Edi Rama se do të ketë fatin e Fatos Nanos. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se “fundi i Ramës” është i afërt.
“Edvin, fundin e ke të afërt. Mjerë ti çdo heqësh. Edvin, atë paralajmërim që ia pata bërë Fatos Nanos, po ta bëj dhe ty nga kjo sallë. Fatin e tij do pësosh nga burrat dhe gratë e Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë. Bëj gati valixhet. Nisu për Beograd, në Shqipëri s’ke vend. Mos harro të marrësh me vete dhe Lul pengun”, deklaroi Berisha.
Berisha: Do jem përballë socialistëve deri sa të bëhem 95 vjeç
Ish-kryeministri Sali Berisha ka premtuar sot se do të jetë në politikë deri në moshën 95-vjeçare.
Lideri historik i PD kujtoi një premtim që u kishte bërë socialisteve se do të ishte në politikë përballë tyre deri në moshën 85 vjeç, por sot tha se tashmë ky premtim është ndryshuar dhe do të jetë deri 95-vjeç.
“Unë nuk jam ai, që tu them juve se tani mirupafshim, unë u them se do të jem së bashku me ju për të luftuar deri në fund të jetës sime. Siç e dini ua kisha thënë atyre të Partisë Socialiste se këtu do të më keni deri sa të bëhem 85 vjeç. Para burrave dhe grave të Kurbinit, po betohet se nëse i madhi Zot e bën të mundur do jem deri sa të bëhem 95 vjeç. Të përgatiten. Të përgatiten”, tha Berisha.